Bashkëpunëtor i autorit të vrasjes së Behar Sofisë, identifikohet në burg 45-vjeçari
Një person i arrestuar për dhunë në familje që mbahej në burgun e Krujës është vënë nën akuzë nga prokuroria e posaçme SPAK, për pjesëmarrje në vrasjen e Behar Sofisë në shkurt të këtij viti.
Përveç 4 të arrestuarve deri tani për atentatin e ndodhur pranë piramidës në tiranë, policia e Tiranës ka zbardhur edhe implikimin e shtetasit Bujar Leza në këtë ngjarje.
45-vjeçari që ndodhej në qeli për një krim tjetër dyshohet se u ka siguruar autorëve armën e zjarrit dhe biçikletën si dhe ka pasur rolin e ndërmjetësit mes porositësve dhe ekzekutorëve të krimit.
Masa e re e sigurisë i është njoftuar të dyshuarit në burgun e Fushë Krujës për dhunë në familje.
Të hënën i dyshuari pritet të dalë para gjykatës së posaçme ku do të njihet me provat e mbledhura nga Spak për përfshirjen e tij në vrasjen e bisnesmenit Behar Sofia.
Aktualisht për atentatin pranë banesës së 66-vjeçarit janë arrestuar Ernejt Shyti, Xhuljano Visha, Leonard Xhixha dhe Skënder Vathi.
Policia i akuzon ata si anëtarë të një grupi që kanë vepruar si vrasës më pagesë e konfirmuar kjo edhe nga dëshmia e autorit të ngjarjes i cili ka pohuar se për krimin I kishin premtuar një shumë të konsiderueshme monetare.
Behar Sofia u vra më 26 shkurt të këtij viti sapo doli nga banesa e tij pranë piramidës, në kryeqytet. Autori Ernjet Shyti, i fiksuar nga kamerat e sigurisë në vendngjarje, ishte një person pa të shkuar kriminale.
Ai kishte rolin e ekzekutorit e ndërsa persona e tjerë kanë qenë bashkëpunëtorë me detyra të ndara në vëzhgimin e viktimës.



