"Televizor, lavatriçe për prindërit, krevat se flinim në tokë…", qytetarët tregojnë çfarë kanë blerë me rrogën e parë: Një bebe pas 9 muajsh!
Si çdo gjë e parë në jetë edhe rroga e parë lë gjurmë te secili prej nesh jo vetëm për vlerën monetare por edhe mënyra sesi ne e kemi shpenzuar.
Enki me rubrikën e saj Vox Pop sfidoi motin e keq këtë të hënë, 27 dhjetor, për të marrë mendimin e qytetarëve se çfarë kanë blerë ata me rrogën e parë.
Nga përgjigjet e qytetarëve, qoftë për mikrofonin e Rtv Ora, apo edhe përmes mesazheve, vihet re se lidhjet e fëmijëve me familjen mbeten akoma të forta por ka edhe nga ata që me rrogën e parë kanë vendosur të gëzojnë veten.
Këto ishin përgjigjet e tyre për emisionin "Ditë e Re" në Rtv Ora.
"Akoma nuk kam filluar punë dhe nuk kam ndërmend sepse në Shqipëri paguhet shumë pak. Po pres të iki jashtë dhe të filloj".
"Thonin që duhej të blesh diçka prej hekuri dhe kam blerë një set me lugë, pirunj.Rroga e parë minimale, 250 mijë lekë".
"Me rrogën e parë kam blerë një bar."
"Me rrogën e parë kam blerë një çantë"
"Me rrogën e parë nuk kam blerë asgjë, kam paguar qiranë, ujë dhe drita dhe pjesën tjetër autobus".
"I kam dërguar në shtëpi."
"Me rrogën time të parë i bleva një konviktoreje një palë të brendshme, mi kërkoi dhe më erdhi turp".
"I kam blerë stoli të bukura amores time."
"Gruaja ime është shumë e lumtur, para 35 vitesh ka blerë një xhevzve."
"Me rrogën e parë i pagova kredinë mamit se nuk mundte."
"Nuk kemi çfarë të blejmë, jemi popull shumë i varfër dhe nuk i plotësojmë dot dëshirat vetes."
"Me rrogën e parë dola për kafe dhe qerasa mikeshat se më kishin mbajtur shumë gjatë me kafe."
"Gruaja ime me rrogën e parë bleu një palë xhinse shumë të bukura që i mban kujtim edhe sot. E kishte rrogën shumë të ulët dhe tani e ka shumë të mirë dhe mund të blejë çfarë të dojë."
"Me rrogën e parë nuk kam blerë asgjë, për çfarë të dalin 250 mijë lekë të vjetra dhe sikur të merrje rrogën minimale, jo që kemi marrë më pak. Unë merrja 250 mijë lekë dhe më duhej të ktheja 100 të pronari."
"Nuk më kujtohet ka vite, me rrogën e fundit kam blerë një palë atlete."
"Me rrogën e parë që do marr do të nxjerr ty për drekë."
"Ua kam dërguar të shtëpisë, jetonin në fshat dhe ishte e vështirë për të kaluar muajin."
"Nuk kam rrogë fare. Ha e pi, a janë festa. Na kanë lënë të parët."
"Me rrogën e parë bleva televizor për familjen se nuk ishim, ndjesia që përjetova ishte e papërshkrueshme."
"Me rrogën e parë bleva një krevat se flinim bashkë me gruan në tokë, jetonim në gasoniere. Kemi qenë shumnë të lumtur kur bleva krevat se kockat tona akoma na dhembin."
"Rrogën që marr ta jap ty po më bërë ndonjë nga ato vajzat në rrugë."
"Me rrogën time të parë kam paguar borxhet."
"Kisha dëshirë të bleja diçka për Vitin e Ri por është e pamundur, nuk mund të blesh asgjë."
"Me rrogën e parë i bleva nuses një buqetë me lule, me të fundit bleva sërish lule por jo nuses."
"Me rrogën e parë bleva telefon, familja nuk ma blinte dot."
"Me rrogën e parë kam blerë veshje."
"Me rrogën e parë kam blerë pajisje shtëpiake se isha në shtëpinë e re."
"Me rrogën e parë shkova për një fundjavë me të dashurin në Vlorë se nuk kishim qëndruar asnjëherë bashkë vetëm. Rroga e parë më solli pas 9 muajsh një beb."
"Me rrogën e parë shkova në Itali si emigrant."
"Me rrogën e parë kam blerë një lavatriçe se mami lante rrobat me dorë dhe pse i dhimbnin duart shumë."
"Nuk kemi ne shqiptarët të blejmë gjëra me rrogën. Presim gjithmonë dhurata nga jashtë."
"Me rrogën e parë bleva një biletë për në Shqipëri".

