"PD është shumë më e madhe se sa…", Balla tregon a do të bashkëpunonte PS me Berishën si kryetar partie

Taulant  Balla duket i pashqetësuar se kush do të jetë kryetar i PD vitin e ardhshëm.

Kreu i grupit parlamentar të PS tha për mediat se për punën parlamentare, me rëndësi për të është homologu i tij te kampi kundërshtar dhe jo kryetari i partisë.

E megjithatë ai nënvizon se klasa politike duhet të mbështesë të gjithë mekanizmat e vendosura nga SHBA në goditjen e korrupsionit të nivelit të lartë.

Pyetje: Tani duket fakt ndarja e PD e P do ketë përballë dy opozita, njërën që ka thirrur një protestë në 8 janar e një opozitë në parlament, me kë është përballja juaj?

Balla: Unë s’kam informacion që PD do ndahet, ose të paktën ky është vlerësimi im, ajo që cdo kundërshtar politik duhet të ketë si pjesë të standartit të vet të komunikimit është që unë nuk hyj kurrë në një cështje të brendshme, uroj ta zgjidhin në kohë. Në konferencën e kryetarëve apo sallën plenare për mua do e quaj homologun kryesor është kryetari i grupit parlamentar të PD, pavarësisht se kush është kryetari i partisë.

Pyetje: Sali Berisha ka shprehur ambicien për t’u bërë kryetar i PD, a është e gatshme PS të bashkëpunojë me një kryetar partie të shpallur non grata?

Balla: Shpallja non grata nga SHBA është një shërbim që SHBA i bëjnë Shqipërisë dhe unë e kam ndjekur me vëmendje gjithë rastet e non gratave në gjithë vendet që njoh mirë dhe ata që janë shpallur janë persona që i kanë bërë keq popullit e vendit përkatës. Sa kohë që të gjithë përbetohemi si aleat i SHBA duhet të besojmë në faktet që kanë bindur sekretarin amerikan të shtetit Blinkën për të shpallë non grata.

Detyra jonë, këtu flas në aspektin tim edhe si kryetari i grupit parlamentar por edhe si deputet, ne duhet të mbështesim gjithë mekanizmat e vendosura nga SHBA në goditjen e korrupsionit të nivelit të lartë, një person non grata nuk mund të jetë një partner për të çuar përpara axhendën evropiane të vendit, ka nevojë për politkanë të cilët s’mund të shkojnë e të luftojnë me aleatët tanë strategjikë.

Ky politikan i bën dëm interesave të vendit s’mund të jetë partner ose të mbajë mbi supe përgjegjësitë që ka sot Kuvendi apo që ka sot edhe të jesh në krye të PD, PD është shumë më e madhe se sa Berisha, por kjo është çështje e brendshme e tyre dhe pse kërshëria na bën të ndërhyjmë.