PS nuk e do Berishën në parlament, Balla: Të marrë shembull Tom Doshin, të ikë përjetësisht nga Kuvendi

Aktivizimi i Sali Berishës për të marrë selinë blu ka shqetësuar jo pak PS, e cila e pranon haptazi se do të ishte më e qetë pa ish-kryeministrin në Parlament. Kryetari i grupit socialist e pranon takimin me Lulzim Bashën por hedh poshtë aludimet e bëra nga Berisha. Në fund Taulant Balla i kërkoi SPAK që të çojë para drejtësisë jo vetëm ish-kryeminsitrin por edhe familjen e tij.

Sali Berisha ishte kryefjala e konferencës së fundvitit me gazetarët e kryetarit të PS Taulant Balla. 

Aktivizimi i ish-kryeministrit nuk ka shqetësuar vetëm Lulzim Bashën, por edhe mazhorancën, e cila e pranon që Parlamenti do të ishte më i qetë pa Berishën.

Lufta e brendshme në PD për karrigen e kryetarit ka përfshirë edhe kryetarin e grupit socialist, i cili edhe pse publikisht nuk kërkon të mbajë anë, në fjalimin e tij njeh si kryetar të selisë blu Lulzim Bashën.

Pyetje: Ju në fakt po bashkëpunoni me një parti, kryetari i sëcilës është shpallur non grata nga DASH, Partia Social-Demokrate e Tom Doshit. Në këtë rast nuk e keni marrë parasysh vendimin e DASH, flas në nivel lokal bashkëpunimi?

Balla: Nuk di që PS të ketë ndonjë marrëveshje bashkëpunimi me partinë në fjalë që ju përmendët. Nuk di që në Kuvend të jetë prezent Doshi, ka dhënë dorëheqjen nga Kuvendi i Shqipërisë. Të bëjë dhe Berisha atë që bëri zoti Doshi, të japë dorqëheqjen nga mandati i vet në Kuvendin e Shqipërisë, të marrë modelin e zotit Doshi Berisha dhe të bëjë të njëjtën gjë. Doshi nuk është as në Konferencën e Kryetarëve, as në sallën e Parlamentit. Për fat të mirë këto katër muaj ka munguar dhe zoti Berisha dhe mendoj se duhet të mungojë përjetësisht Berisha në Kuvend.

Balla foli edhe për çështjen e ashtuquajtur "Toyota Yaris" dhe akuzat e Berishës për përfshirjen e Bashës në këtë rast.

Pyetje: Berisha ka akuzuar se në çështjen "Toyota Yaris" është i përfshirë dhe zoti Basha, ka ndërhyrë në hetime. A nuk duhet të veprojë drejtësia në këtë rast.

Balla: Për "Toyota Yaris" jam fitues me Bashën në një gjyq penal në gjykatën e shkallës së parë të krimeve të rënda dhe besoj se nga të dhënat dhe argumentet e depozituara nga ana e avokatëve të mi kundër zotit Basha do të fitojmë dhe në Apel, që merr dhe formë të prerë. Do interesohem deri në fund që Basha ta paguajë penalitetikn që në këtë rast shkon në fondet e shtetit shqiptar. Do ti sugjeroja duke qenë se tani Basha është nën akuzë nga Berisha, nga unë tani akuza ka shkuar te Basha prej zotit Berisha. Nëse Basha mendon se është i pafajshëm duhet të kallëzojë penalisht qoftë në prokurori, por qoftë dhe padi penale apo civile për shpifje në Gjykatën e Posaçme. Sapo kam fituar dhe një gjyq me zotin Strazimiri për një histori tjetër akuzash. Kur janë civile përfitimi është i drejtëpërdrejtë dhe jam angazhuar që çdo qindarkë që do marr nga këto gjyqe të shkojë për kopshte dhe çerdhe në zonën nga vi unë, Librazhd.

Taulant Balla nuk e mohoi takimin në darkë mes tij, Bashës dhe Erion Veliaj në këto kohë trazirash në oborrin e opozitës, por mohon aludimet e bëra nga ish-kryeministri.

Edhe pse PS ka bashkëpunuar me Tom Doshin për vota në Parlament dhe me Vangjush Dakon në fushatë elektorale, edhe pse të shpallur non grata, në rastin e Berishës socialistët mendojnë se nje bashkëpunim i mundshëm dëmton vendin.

Balla jo vetëm nuk e do në Parlament ish-kryeministrin por ai dëshiron që Sali Berisha të dalë para drejtësisë shqiptare.

Madje socialisti hedh dyshimet që hetimet për të mund të shkojnë edhe shumë pas në kohë.