Vrasje në sy të dëshmitarëve në Peqin, autorët dogjën makinën e tyre dhe u larguan me makinën e viktimës
Krimi goditi sërish. 35-vjeçari Albi Bashaliu u ekzekutua mëngjesin e sotëm në Gjocaj të Peqinit. Autorët dyshohet se i kishin zënë pritë dhe e lanë të vdekur në mes të rrugës. Vrasja dyshohet për hakmarrje, pasi 35- vjeçari ka qenë i dyshuar për një atentat, ndërsa i vëllai vrau 6 muaj më parë një bashkëfshatar.
Albi Bashaliu, po vinte në këtë lokal në fshatin Gjoçaj të Peqinit, për të pirë kafen e mëngjesit.
Sapo 35-vjeçari zbriti nga makina në rrugë, e thirrën në emër dhe e qëlluan direkt dy herë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Autorët sipas një dëshmitari ishin dy persona të cilët e kërcënuan të futej në lokal dhe të mos reagonte.
Mbanin veshur rroba të zeza dhe me maska anti-Covid në fytyrë.
Pasi qëlluan 35-vjeçarin në mes të rrugës shkuan për ta verifikuar nëse kishte vdekur.
Ekzekutorët e Albi Bashaliut mbërritën me këtë makinë, të cilës pas krimit i vunë flakën dhe u larguan me makinën e viktimës.
Policia thotë se u njoftua në orën 08:39 minuta, por kur efektivët e parë mbërritën në zonë, autorët kishin pasur të gjithë kohën e duhur për të humbur gjurmët.
Kontrollet dhe postblloqet e bluve në zonë nuk dhanë efekt.
Viktima, Albi Bashaliu, rezulton një person i njohur për policinë e Elbasanit.
Në vitin 2017 ai është akuzuar për një atentat ndaj dy personave në Peqin.
Ndërsa vëllai i tij, Leonard Bashaliu ndodhet në burg, pasi në qershor të këti viti vrau bashkëfshatarin e tij Albert Xhahysa.
Pista kryesore mbi të cilën po hetohet ngjarja është ajo e hakmarrjes, bazuar mbi të shkuarën e viktimës dhe të vëllait të tij që vrau vetëm disa metra me tej 6 muaj më parë.
Dëshmitarë dhe familjarë të Albert Xhahysës u morën në pyetje me qëllim zbardhjen e autorëve dhe motiveve të ekzekutimit të 35-vjeçarit Bashaliu.


