30 vjetori i Shoqatës Tirana, Tafaj: Kryeqyteti të mos e humbasë identitetin historik

Në kuadër te 30 vjetorit të themelimit të Shoqatës Tirana, këtë të mërkurë u zhvillua një aktivitet ku kryetari i saj Arben Tafaj shprehu mirënjohje për figurat e shquara të kryeqytetit. Ai u ndal edhe tek ndryshimi i Tiranës, i cili sipas tij po e humbet identitetin e saj.

Me rastin e 30 vjetorit të themelimit të Shoqatës Tirana, pritet të organizohen një sërë aktivitetesh këtë fundvit.

Në ditëlindjen e saj, këtë të mërkurë mbajti fjalën kryetari Arben Tafaj, i cili theksoi se pas 30 vitesh tranzicion, ndryshimi i Tiranës është i pranueshëm, por jo duke zhdukur monumentet që identifikojnë historinë e kryeqytetit ndër vite.

"Shumë objekte që sot i mungojnë qytetit tonë na pikëllojnë dhe ne kemi mbajtur qëndrime të prera kundër prishjes së tyre si për shembull Stadiumi "Qemal Stafa", Teatri Kombëtar, Sheshi Skënderbej apo ndërhyrjet në qendrën e Tiranës pranë Sahatit dhe Xhamisë ku po ndërtohen kulla të larta. Unë ashtu si dhe ju mendojmë që qyteti duhet ët zhvillohet, por duke ruajtur historinë dhe vlerat e tij," tha Tafaj.

Në këtë përvjetor Tafaj u kujdes të përmendë edhe figurat e shquara që kanë kontribuar në historinë e Tiranës.

"Përulem me respekt dhe vlerësoj punën e palodhur të etërve themelues të Shoqatës Tirana, të profesorëve të nderuar Zyhdi Turdiu, Shefqet Ndoqi, Rexhep Vaqari, Ramazan Bogdani e deri tek gjenerata më e re," tha Tafaj.

Për këtë përvjetor ndonëse zhvillohet nën hijen e pandemisë, organizatorët janë kujdesur që aktivitetet të mos ndalen, por duke respektuar masat e vendosura anticovid.