Gjeli i detit ngel në rrugë, fermerët ankohen për tregun, konsumatorët për gjendjen ekonomike
Gjeli i detit, i cilësuar si mbreti i tryezës së festës së Vitit të Ri ka nisur të tregtohet në të gjithë vendin. Në Peqin e Lezhë, ku çmimi për kilogram shkon deri në 900 lekë, fermerët ankohen për tregun. Blerësit nga ana tjetër ankohen për gjendjen ekonomike, ku pensionistëve shpërblimi i qeverisë nuk u çon gjel në tryezë.
Me afrimin e festave të fundvitit, fermerët e Peqinit kanë marrë gjelat e detit që rritën dhe kanë dalë buzë rrugëve për ti shitur.
Megjithëse pjesa më e madhe e produkteve këtë vit shënoi rritje, kanë vendosur që të mos e ndjekin trendin e tregtarëve të qyteteve.
Çmimin për kilogram e kanë mbajtur të pandryshuar nga një vit më parë.
"8 gjeli, 9 pula.500 lekë kg i mishit".
Shitjet i ndajnë. Ata që ndër vite thonë se kanë dalë me humbje e këtë vit mbarështuan më pak shpendë janë të kënaqur, të tjerë ankohen.
"Fare nuk ja vlen, nuk kanë para njerëzit."
Blerësit nga ana tjetër nuk ankohën për çmimin, por për pafuqinë ekonomike.
"Shumë i lartë."
Pensionistëve nuk u mjaftoi shpërblimi i qeverisë që gjelin e detit ta kene në tavolinën e Vitit të Ri.
Në veri, Zadrima e Lezhës është e njohur për mbarështimin e gjelit të detit.
Fermerët si çdo vit kanë dalë të shesin buzë rrugës nacionale Lezhë-Shkodër.
Çmimi për kilogram varion nga 600 deri në 800 lekë, por shitjet thonë se janë të pakta.
"Punoj një vit dhe nuk kam fitim në to."
Vetëm në Zadrimë, përllogaritet se mbarështohen deri në 50 mijë gjela deti në vit, punë që është burimi kryesor i të ardhurave për shumë familje.


