Kishte bërë gati dozat e kanabisit për shitje, arrestohet 43-vjeçari në Fier

Një 43-vjeçar është arrestuar nga policia e Fierit pasi u ka duke transportuar një sasi me lëndë narkotike për ta shitur në doza.

Blutë bëjnë me dije se është sekuestruar një pako me lëndë narkotike cannabis sativa.

Shërbimet e policisë, në bazë të informacioneve që kishin marrë për një automjet që dyshohej se transportonte lëndë narkotike, kanë bërë të mundur bllokimin e automjetit dhe shoqërimin e drejtuesit për në Komisariat.

Gjatë kontrollit të automjetit tip "Citroen", shërbimet e Policisë kanë konstatuar se në sediljen e pasme ndodhej një çantë ku brenda saj kishte një pako me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa.

Nga veprimet e para hetimore, rezulton se ky shtetas do ta shiste lëndën narkotike në doza në qytetin e Fierit.

Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Aulon I. 43 vjeç, banues në Tiranë

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.