Dështon komisioni hetimor, PD: 40 kompani fiktive për pastrimin e parave të incineratorëve. PS mbrojtje politike

Janë 40 kompani të krijuara në mënyrë fiktive për të pastruar paratë e mafias dhe krimit përmes incineratorëve. Denoncimi vjen nga kryetarja e Komisionit Hetimor Parlamentar për aferat e incineratorët, Jorida Tabaku.

"Sipas informacioneve që ka marrë Komisioni Hetimor rreth 40 kompani fiktive janë krijuar, që kanë pasur pagesa për individë pa kryer punë, babai i një deputeti të PS, z. Alqi Bllako është vërtetuar, përveç atyre që janë vërtetuar për z. Lefter Koka.

Partia Demokratike, unë dhe të gjithë anëtarët e Komisionit Hetimor, jemi të angazhuar t’i shkojmë deri në fund këtij grupi të strukturuar kriminal. I bëj thirrje SPAK-ut të vazhdojë hetimet dhe të shtrihet tek personat me pushtet. Sot Lefter Koka është pa pushtet dhe pa mandat deputeti. Ata që janë me pushtet në zyrat e shtetit, ata që janë me mandat deputeti, nuk po hetohen akoma”.

Partia Demokratike akuzon Partinë Socialiste se ky është qëllimi që fshihet pas tentativës për bllokimin e Hetimit të Komisionit për Incinerëtorët, duke bojkotuar mbledhjen e 22 dhjetorit 2021.

Një veprim u tillë ndërmerret një javë pasi  SPAK arrestoi ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka për lidhje me aferën e incineratorit të Elbasanit.

Kryetarja e këtij komisioni Jorida Tabaku, thekson se bojkoti i PS në Komisionin Hetimor, është mbrojtje politike për incineratorët.

Jorida Tabaku: "Sot mbrojtja politike po jepet duke bojkotuar mbledhjet e komisionit. Qytetarët e kanë të qartë se komisioni hetimor i inceneratorëve nuk flet pa prova dhe fakte, madje ky komision dhe SPAK-u po i afrohen të vërtetës. Dhe ndërkohë që Lefter Koka është vetëm fillimi, është vetëm i pari që duhet të shkojë përpara drejtësisë, PS është rreshtuar haptazi në mbrojtje të interesit korruptiv të Lefter Kokës, të Klodian Zotos që është sot në kërkim, të Stela Gugallias që është sot në kërkim dhe të Mirel Mërtirit" 

Gjithashtu në listën e të kallëzuarve janë dhe kryebashkiaku Erion Veliaj dhe ministri Arben Ahmetaj.

Në padinë e dorëzuar në SPAK, por edhe në indicet të Komisionit Hetimor për inceneratorët, ne kemi kërkuar që hetimi të vazhdojë me Edi Ramën si person i lidhur dhe mbrojtësi kryesor i aferës së inceneratorëve;  

Me Arben Ahmetajn, ministrin përgjegjës dhe personin që ka njohje me pronarët e inceneratorëve; Me Damian Gjikurin, me atë që ka dhënë inceneratorin e Tiranës, pasi dy të parët u dhanë nga Ministria e Mjedisit, ai i Fierit dhe Elbasanit; Me Qazim Sejdinin, Armando Subashin dhe sigurisht me Erjon Veliajn.

Në përfundim të deklaratës së saj, Tabaku theksoi se askush nuk ka për ta ndalur punën e këtij Komisioni.