Golemin e Lushnjes e mbulojnë plehrat, banorët: S’kemi asnjë kosh

Në fshatin Golem të Lushnjes, banorët denoncojnë se Bashkia dhe kompania e pastrimit nuk kanë vendosur asnjë kontejner për grumbullimin e mbetjeve.

"Nuk ka një kosh plehrash  në fshatin Golem, që është vetëm 1 kilometër nga qyteti. Është turp."

Ndaj pirgjet e plehrave i gjen në çdo rrugë e lagje.

Madje edhe pranë zyrave ku qindra banorë të zonës marrin shërbime dhe fëmijët mësim.

"Këtu hidhen pula të ngordhura, mbeturina gjëra dhe asnjë  masë nuk është marrë."

"Këtu është kolere. Ku t'i çoj fëmijët."

Banorët në vazhdimësi kanë ngritur alarmin për këtë situatë. Por ish kryetari Fatos Tushe tashme në burg me dyshimin e korrupsionit dhe drejtuesja e komanduar që e pasoi në detyrë thonë se nuk u ka dhënë asnjë zgjidhje.

Ironik është fakti që madje paguajnë taksa për një shërbim që Bashkia nuk u ka ofruar kurrë.

"I paguajmë taksat."

Mungesa e pastrimit është vetëm një prej shqetësimeve të banorëve të Golemit në Bashkinë e Lushnjes, të cilët thonë se mungesa e investimeve po ndikon në braktisjen e fshatrave edhe në Myzeqe.