Falsifikuan dokumente dhe i paraqitën në zyrat e Kadastrës për të përfituar tokë, 2 të arrestuar në Tiranë

Policia e Tiranës ka vënë në pranga 2 shtetas pasi akuzohen se kanë falsifikuar dokumente me qëllim përfitimin e një sipërfaqeje toke.

Blutë bëjnë me dije se në kuadër të operacionit "Dhurimi" u bë arrestimi i shtetasve R. V., 54 vjeç dhe L. S., 42 vjeç, të dy banues në Kashar, Tiranë.

Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar dokumente noteriale të një notereje publike në qytetin e Tiranës dhe më pas i kanë paraqitur ato në zyrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, me qëllim përfitimin si dhurim të një sipërfaqeje të konsiderueshme toke, në fshatin Kashar.

Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit të Krimit Ekonomik dhe Financiar proceduan penalisht shtetasin A. B., 56 vjeç, për veprën penale "Falsifikimi i dokumenteve".

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale kontratat noteriale të dyshuara të falsifikuara, të cilat ishin dorëzuar në zyrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. 

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve", "Mashtrimi" dhe "Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike".