Samiti i "Open Balkan", Rama pret Vuçiç dhe Zaev në Pallatin e Brigadave

Pas darkës joformale në Elbasan, kryeministri Edi Rama priti sot në Pallatin e Brigadave në Tiranë presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin maqedonas Zoran Zaev së bashku me delegacionet shoqëruese.

Në takimin e sotëm udhëheqësit e të tre vendeve, shoqërohen dhe nga anëtarë të kabineteve qeveritare si dhe sipërmarrës. Eshtë njoftuar po ashtu dhe pjesmarrja e James O’Brien, përfaqësues i Këshillit të Atlantikut.

Pak kohë më parë Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se Presidenti Biden synon ta emërojë atë si koordinator për politikën e sanksioneve, në Departamentin e Shtetit, një post i lartë në rang ambasadori.

Në takim do të jetë gjithashtu dhe drejtuesi i Fondacionit për një Shoqëri të hapur, Alex Soros, ndërsa në seancën e hapjes do të ketë një fjalim të Komisionerit europian për Zgjerimin Oliver Varhelyi, i cili do të ndërhyjë përmes një lidhjeje online.

Në përfundim të takimit, pritet të nënshkruhen disa marrëveshje që kanë të bëjnë, me lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.

Nisma Ballkani i hapur ka hasur në kundërshtitë e forta të qeverisë së Kosovës, ndërsa kanë refuzuar t’i bashkohen edhe Bosnja e Mali i zi, që po ashtu e shohin atë me skepticizëm. Kryeministri Edi Rama, një mbrojtës i flaktë i projektit, e sheh atë si një mekanizëm të rëndësishëm për të ardhmen e rajonit, dhe një “projekt strategjik për interesat e Shqipërisë dhe tërë kombit shqiptar”.

Samiti i "Open  Balkan",  Rama pret Vuçiç dhe Zaev

Vuçiç për marrëveshjet: Baza për një rajon pa kufij

Ditën e sotme pritet të nënshkruhen 5 marrëveshje. Presidenti Vuçiç në një postim në twitter shkruan se "marrëveshjet e sotme janë të rëndësishme për ne, ato janë bërthama e diçkaje që do të krijojë që kjo pjesë e Evropës të jetë në thelb pa kufij, dhe shumë kohë më parë se ne mendonim".

Agjenda e Samitit Open Balkan

Ora 09:00 Mbërritja e Vuçiç dhe Zaev me delegacionet në Pallatin e Brigadave në Tiranë

Ora 09:05 Takimi i 3 liderëve, Rama, Vuçiç, Zaev

Ora 09:30 Seancë plenare

Ora 10:30 Pushim për kafe

Ora 10:45 Diskutim i liderëve Axhendën e Ardhshme për Ballkanin e Hapur

Ora 11:30 Ceremonia e nënshkrimit

Ora 12:00 Forumi Rajonal për Bujqësi dhe Bashkëpunim Rajonal

Ora 13:00  Konferencë e përbashkët për shtyp e tre liderëve të Iniciativës Ballkanike të Hapur

Ora 14:00 Dreka zyrtare

Mbërritja e Vuçiç dhe Zaev te Pallati i Brigadave