Shehi: Teuta e Partizani ende në lojë për titull. Martini: Ishte ndeshja më e mirë e Teutës

Në “Air Albania”, Tirana konfirmoi lidershipin e saj me fitoren ndaj Teutës duke bërë rikthimin e Martinit të hidhur. Gjithsesi, trajneri Orges Shehi mendon se ekipi bëri mire, më mire se me Laçin ndërsa shpjegoi edhe mungesën e Ngo’o në formacion.


“Ishte një ndeshje mes dy rivalëve, edhe pse Teuta ka më pak pikë është shumë ekip i mirë. Ishim ne më efikasë që mund ta zgjidhnim më mirë, si dhe në disa çaste duhet mos ia jepnim mundësinë për raste rivalit. Jemi të kënaqur sepse mundëm kampionët. Ndryshe nga ndeshja në Laç ku nuk dhamë çka duhej, sot bëmë mirë. Ngoo jashtë formacioni? Ndeshje pas ndeshje kemi ndryshuar me disa individë. Këtë ndeshje kishim një modul tjetër. Totre në merkato? Mendoj se e kemi afruar për cilësitë e tij dhe kemi dy vite kontratë me të. Janë zëra merkatoje dhe nuk mendoj se ka klub më të fuqishëm se ne për të na prishur objektivat. Kampionati është i gjatë, nuk është mbyllur ende gjysma, ndaj mendoj se edhe Teuta e Partizani që janë larg nuk heqin dorë nga objektivat, titulli e Europa. Duke pasur parasysh që ka shumë pikë në lojë, nuk mendoj se ndonjë është jashtë gare.

Sulmi pa Ngoo? Michael është pika jonë e referimit. Ka momente që ai nuk ka bërë mirë, ka raste që na ka ndihmuar. Ne dimë ku pikon çatia. Humbjet nuk duhet t’ia referojmë atij. Si fillon nga stoli si nga fillimi, është i rëndësishëm”, deklaroi trajneri Shehi pas ndeshjes.

 

Në krahun tjetër, Edi Martini nuk ka pendesa për lojën sepse sipas tij ishte një nga paraqitjet më të mira të Teutës, duke siguruar se beson te ky kip.

 

‘Mendoj se që nga ndeshja e parë, kjo ka qenë më e mira e ekipit, pasi luajtëm shumë mirë, dukej që ishim ne kampionët në fuqi, por humbëm shumë raste dhe u detyruam të dalim pa pikë. Më vjen shumë keq që pas një jave ndërpritet kampionati, pasi skuadra ka ardhur në gjendje mjaft të mirë dhe do të doja të vijonim të tregonim veten në fushë. Besoj shumë te ky ekip. Është e vërtetë që kualiteti në sulm dhe para porte, na mungon, Kemi humbur shumë raste, madje edhe sot dhe në një ndeshje si kjo ndaj Tiranës, është e tepërt të humbësh 5 raste shënimi. Është për të ardhur keq, pasi qarkullojmë topin dhe luajmë mirë, por nuk arrijmë të finalizojmë. Duhet ta rregullojmë këtë aspekt sa më shpejt. Pikët janë ato që janë dhe nuk mund t’i diskutojmë, por është ende herët për të thënë këtë që nuk jemi për titull. Kampionati është i vështirë edhe po të jesh shumë pranë kreut, jo më me këtë diferencë pikësh, por në këtë kampionat mjafton të bësh 4-5 fitore radhazi dhe rikuperon. Është një kampionat i vështirë, pasi edhe Tirana, Kukësi, Vllaznia e Laçi po bëjnë shumë mirë dhe do të provojnë ta fitojnë titullin deri në fund. Ne kemi një ndeshje për të luajtur dhe më pas do të provojmë të afrojmë ndonjë futbollist, pasi kemi piketuar 2-3 emra. E vështirë, por të shohim se deri ku do të arrijmë”, deklaroi trajneri Shkodran i Teutës./Ora News/.