Video/ Man. City “poker” Newcastle në fitoren e 8 radhazi, ndalet sërish Chelsea

Man. City është një furi e vërtetë. Në tre ndeshjet e fundit skuadra e Guardiolës ka shënuar 12 gola dhe nuk ka pësuar asnjë në portën e saj dhe sot demonstroi forcën ndaj Newcastle në fushën e këtyre të fundit.

4-0 ishte suksesi i radhës për Man. City dhe nuk ishte një fitore normale por e teta radhazi në Premier League. Duket sikur vetëm Liverpool po i mban ritmin “Citizens” të cilët nuk e diskutuan as 3 pikët e as dominimin ndaj Newcastle.

Në pjesën e pare ndeshjen e zgjidhën 2 mbrojtës, Ruben Dias në 5’ dhe Cancelo në 27’, teksa në të dytën shënuan edhe Mahrez në 64’ dhe Sterling në 86.

Me këtë fitore, Man. City arrin kuotën e 43 pikëve duke lënë shumë pas Chelsean që sot zhgënjeu sërish.

“Blutë e Londrës” që vinin nga barazimi me Everton në shtëpi, morën një tjetër barazim, kësaj radhe pa gola në fushën e Wolves, një transfertë e vështirë.

Në fakt, Tuchel kishte shumë probleme pasi Lukaku, Odoi dhe Werner janë me covid-19 dhe nuk mund të ndihmonin skuadrën.

Edhe pse rastet nuk munguan e në fakt, Wolves shënoi një gol të anuluar me vAR që mund të shkaktojë polemika po gjithsesi sfida u mbyll pa gola./Ora News/.