Shkëmbi: Kemi një xhevahir në portë. Brdariç pranon gabimet te Vllaznia

Një barazim 0-0 nuk i ka kënaqur aspak tifozët e Vllaznisë. As trajneri Brdariç nuk ishte i tillë dhe e pranoi se rezultati ishte zhgënjyes dhe zbuloi gabimet e skuadrës, sidomos në pjesën e parë.

“Luajtëm kundër një ekipi që nuk ka pasur rezultate pozitive, por ka lojtarë me kualitet. I thashë djemve përpara ndeshjes se jam kurioz të shoh se si do e përballonin sfidën ndaj Dinamos. Gjërat nuk shkuan siç duhet në pjesën e parë, nuk mund të jesh i suksesshëm nëse luan në këtë mënyrë. Fola me lojtarët në pushim, u thashë që nuk mund të vazhdojmë në këtë mënyrë. Gjërat ndryshuan, u përmirësuam, por nuk patëm fat në gjetjen e golit. Duhet të kishim fituar më shumë duele, mendoj se loja e dobët në krahun e majtë ishte pasojë e dueleve që nuk fituam. Nuk fituam topat e dytë në pjesën e parë, kjo na penalizoi”, deklaroi trajneri Brdariç pas ndeshjes me Dinamon.


Në anën tjetër, trajneri Shkëmbi pohoi se një barazim me Vllazninë do t’i shërbejë skuadrës për rritjen e moralit për ndeshjet e mbetura.

“Mendoj se ishte dëshira, impenjimi dhe kryesorja, përqendrimi i lojtarëve. Pjesë e parë goxha e mirë, patëm rastet, por për fat të keq vazhdojmë të gabojmë raste të pastra. Ndoshta zëvendësimet duhet të bënin pak më mirë, por është një barazim që do na bëjë mirë në anën psikologjike. Komplimente Simonit, ne e dimë që kemi një xhevahir në portë. Ishte shansi i Simonit, njësoj si Bakaj pati shansin e tij. Më vjen mirë që një 17-vjeçar bën shumë mirë në portë, ai nuk e ndjeu aspak presionin, aq më tepër në këtë moment të vështirë për ne. Duhet të jemi më të duruar, por më e mira do ishte të ecnin paralel rezultatet e pozitive dhe aktivizimi i të rinjve. Klubi beson shumë te lojtarët e rinj, do vazhdojmë në këtë linjë”, deklaroi trajneri i Dinamos./Ora News/.