Borxhi i qeverisë, Malaj: Nuk jemi aq të pasur sa të ndërtojmë aeroport që e përdorim 3 javë në vit
Ish-ministri Socialist i ekonomisë Arben Malaj kritikoi qeverinë e Edi Ramës për thellimin e borxhit në nivele që cenojnë stabilitetin financiar të vendit. Rritja e borxhit sipas tij është dramatike për vendin, ndërsa shtoi se Partia Socialiste nuk është një model që duhet ndjekur.
Shqipëria ka hyrë në një spirale të rrezikshme për stabilitetin ekonomik, si pasojë e thellimit të borxhit.
Ish-ministri i financave Arben Malaj, thotë se situata aktuale është një këmbanë e fortë alarmi pasi vendi ka borxhe të fshehta.
"Borxhe si puna e dinamitit, sa më shumë rritet aq më shumë vret kur plas. Borxhi mund të rritej por përmasat e rritjes së borxhit për investime pa projekte, që qeveria ka prekur transparencën, nuk i gjen dot shifrat e sakta, ka borxhe që janë t fshehta, punime të kryera dhe të papaguara," tha Malaj.
Rrugët që shkojnë deri në 20 milionë lekë për kilometër, dhe projektet e aeroporteve janë shembuj konkretë të kësaj situate sipas Malajt.
"Pa studime për kosto rrugësh që shkojnë në 20 milionë euro km janë borxhe që do i kushtojnë shtrenjtë shqiptarëve. Borxhet nga gjobat e Becchettit, 120 mln dollarë që zëvendës kryeministri thoshte s'do merrni asnjë qindarkë, ai po i merr qindarkë më qindarkë. Nuk jemi ne aq të pasur sa të bëjmë aeroport që ta përdorim 3 herë në vit. PS nuk është modeli për të cilin duhet të referohemi," tha Malaj.
Kritik është edhe me modelin brenda PS dhe mënyrës se si drejtohet forca politike ku dikur ai bënte pjesë, ndërsa nuk shmang edhe një koment për Sali Berishës dhe nismën e tij për rikthimin në krye të PD.
"I uroj pension të mbarë shoqëror dhe politik," tha Malaj.
Deklaratat Malaj i bëri nga Shkodra nga një konference të zhvilluar me studentët e fakultetit ekonomik, në universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.

