Incineratorët/ Kryemadhi: SPAK të godasë kokën e grupit Edi Rama me vasalin Erion Veliaj

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi nxit SPAK të mos ndalet tek arrestimi i ish ministrit të Mjedisit, Lefter Koka por të godasë atë që e quan grup të strukturuar kriminal të veshur me kostum zyrtar, koka e të cilit është  Edi Rama, me vasalin e tij, Erion Veliaj.

“Çfarë hetimi kërkohet më, kur është me firmë dhe me vulë?

"Qytetarët presin me padurim goditjen e këtij grupi të strukturuar kriminal të veshur me kostum zyrtar. Ja ku është koka e grupit të strukturuar kriminal, Edi Rama, me vasalin e tij, Erion Veliaj.

Edi Rama, si ideator i skemës së inceneratorëve dhe zbatues i saj, këtë radhë ka firmat mbi vendimet që i kanë dhënë jetë skemave."

Përmes një postimi në facebook Kryemadhi akuzon Veliajn se ka grabitur duke lidhur taksat e qytetarëve, për 30 vjet me inceneratorin e Tiranës, me një vlerë në total 91,784,500 Euro pa Tvsh.

“Ndërsa Erion Veliaj firmos me urdhër të Ramës. Ku e gjen të drejtën, që në kundërshtim me ligjin për vetqeverisjen vendore, neni 54/dh, të marrë atributet e Këshillit Bashkiak? Ai ka grabitur duke lidhur taksat e qytetarëve, për 30 vjet me inceneratorin e Tiranës, me një vlerë në total 91,784,500 Euro pa Tvsh.

Jam e bindur se zbatimi i ligjit dhe leximi objektiv i provave nga ana e institucioneve të drejtësisë, do të mundësojë, që nga zyrat e shtetit, një e nga një, anëtarët e bandës famoze të inceneratorëve të përballen dhe të mbajnë përgjegjësi sipas ligjit" shkruan Kryemadhi.