Ish gjyqtarit të Gjykatës së Lartë i sekuestrojnë apartamentin dhe garazhdin në Tiranë

Një apartament dhe një garazh në emër të ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë Admir Thanza, u sekuestruan nga Gjykata e Posaçme me urdhër të Prokurorisë. SPAK kreu hetim pasuror ndaj ish-zyrtarit të drejtësisë i cili u shkarkua nga vetingu dhe u dënua më pas për fshehjen e një precedenti penal në shtetin italian në vitin 1999.

Prokuroria e Posaçme SPAK ka nisur hetimin pasuror ndaj ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë Admir Thanza duke i sekuestruar pasurinë në bazë të ligjit antimafia.

Burime nga organi i akuzës thanë se ish-gjyqtarit i janë sekuestruar një apartament në Tirane dhe një garazh.

Admir Thanza është shkarkuar nga detyra në vitin 2019 si pasojë e procesit të vettingut pasi trupa rivlerësuese konstatoi se ai ka fshehur procedimin për vjedhje në Itali.

Gjatë vettingut u zbulua se Thanza kishte fshehur një dënim me 40 ditë burg të marrë në Itali për akuzën e “vjedhjes”, i konvertuar më pas në gjobë.

Burime zyrtare thanë se bazuar në ligjin antimafia Gjykata E Posaçme ka vendosur sekuestro për dy pasuritë e paluajtshme të ish-gjyqtarit të lartë Admir Thanza, konkretisht një garazh 23.4 m2 dhe apartament 69.9 m2 në Tiranë.

Pak muaj pas shkarkimit në vitin 2019, gjyqtari Admir Thanza u dënua nga kolegët e tij me 9 muaj burg për falsifikim të formularit të vetëdeklarimit gjatë procesit të vettingut.

Togat e zeza e pezulluan dënimin duke caktuar detyrimin e ish-gjyqtarit Thanza për t’u paraqitur pranë Shërbimit të Provës për 18 muaj dhe për të shmangur kontaktet me persona të papërshtatshëm.

Prokuroria kishte kërkuar 1 vit e 6 muaj burg ndërkohë që vet ish-gjyqtari pretendoi se ishte i pafajshëm. 

Në 10 korrik 2018, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit bëri të ditur se kishte zbuluar një dënim me 40 ditë burg për vjedhje në Itali në vitin 1999, të cilën Admir Thanza nuk e kishte përfshirë në vetëdeklarim.