Rama: Në shkolla do ndërtojmë parcela bujqësore, të mbillen perime

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot shkollat  e reja “Vaçe Zela” dhe “Kristo Frashëri” në Tiranë. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë iu përgjigj edhe kritikëve, duke thënë se tashmë investimi nuk është 3D, por realitet.

"Na thanë se këto janë manipulime kompjuterike, janë 3D, janë fantazira, këto kurrë nuk do bëhen realitet. Është këtu një realitet edhe më i bukur se sa ai që ishte në paraqitjen e projektit," tha Rama.

Rama premtoi se brenda këtij mandati do të ketë ndryshime të rëndësishme në arsim. Rama zbuloi se në shkolla do të aplikohen parcelat bujqësore.

"Brenda këtij mandati do të kemi ndryshime tejet të rëndësishme. Elementi i fundit është ndërtimi i parcelave bujqësore në shkolla. Të gjithë këto hapësira rreth e rrotull, brenda mureve të brendshme të këtij kompleksi nuk mund të jenë thjeshtë hapësira me bar.

Ndërkohë që po të jenë një pjesë e tyre, hapësirë për kultivimin e perimeve për dhënien mundësi të nxënësve të kenë një dijeni fillestare për tokën, vlerën e saj. Dhe pastaj pak nga pak të krijojnë edhe modestish sipërmarrjen bujqësore të shkollës. Kjo do të vlejë për të mësuar edhe këtë pjesë të tregtimit të produkteve do të ishte një laborator natyror fantastik," tha Rama.