Ndryshimet në statutin e PD të 11 Dhjetorit, ja gjyqtari që do të shqyrtojë çështjen
Caktohet gjyqtari që do të shqyrtojë kërkesën nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD për ndryshimet statutore të miratuara në Kuvendin kombëtar të 11 dhjetorit të thirrur në “Air Albania”.
Shorti ka përcaktuar gjyqtarin Agron Zhugri. Kërkesa u depozitua dje në gjykatë.
Një nga ndryshimet kryesore që u miratuan në statutin e ri është dhe neni që kryetari i partisë lë mandatin menjëherë nëse humb zgjedhjet parlamentare dhe votëbesohet nëse humb zgjedhjet vendore.
Ndërkohë dje u depozitua në Gjykatë kërkesa nga Partia Demokratike e Shqipërisë për pasqyrimin e ndryshimeve të statutit të partisë dhe të organeve të reja, të zgjedhura në Kuvendin Kombëtar të datës 17 korrik 2021.
Çështja është regjistruar dhe shortuar pranë kësaj gjykate dhe do ti nënshtrohet shqyrtimit gjyqësor në bazë të ligjit. Gjyqtare e çështjes është zonja Blerina Muça.
