Prona në telefon me një klikim, Lame dhe Ahmetaj prezantojnë projektin për dixhitalizimin e Kadastrës
Arkiva e Kadastrës shqiptare do ti nënshtrohet dixhitalizimit në një proces me dy faza përgjatë dy viteve të ardhshme.
Kreu i këtij institucioni, Artan Lame, tha se qytetarët do të kenë mundësinë që të marrin dokumentet në pronësi me një klikim.
"Jo më fotokopje. Faza e dytë është skanimi dhe dixhitalizimi i kartelave të pasurisë."
Lame tha se shërbimi i qytetarëve dhe dixhitalizimi i Kadastrës janë dy procese që do të implementohet paralelisht dhe pavarësisht ngarkesës e drejta për t'iu drejtuar institucioneve nuk do tu privohet qytetarëve.
"Është konceptuar i tillë që shërbimet ndaj qytetarëve do të vazhdojnë dhe ekipet tona do të shkojnë nga Tirana për të bërë skanimin dhe dixhitalizimin dhe nuk preket shërbimi ndaj qytetarëve".
Për zëvendëskryeministrin, Arben Ahmetaj, dixhitalizimi shënon çlirimin e qytetarëve nga sorollatjet për dokumentacion.
"Me këtë qeveria e vendos veten drejtëpërsëdrejti përgjegjëse për ta bërë fare të thjeshtë, transparente dhe të shpejtë gëzimin e pronësisë përmes një klikimi."
Kadastra trashëgon 2.8 milion referenca. Nga këto vetëm 700 mijë e kanë të plotë dekumentacionin për regjistrim ndërsa për të tjerat është bërë skanimi pjesërisht.

