Mësuesi i dënuar për pedofili i punësuar në Berat, debati Xhixho-Kushi në parlament, deputetja: Hartoni regjistrin e pedofilëve
Deputetja e LSI-së, Erisa Xhixho, nismëtare e ligjit për regjistrin e të dënuarve për pedofili bën përgjegjëse ministrinë e Arsimit për rekrutimet korruptive të mësuesve. Ajo risolli në parlament skandalin e Beratit, për të cilin ministrja Kushi u mjaftua me deklaratën se e kishte dënuar një emërim të tillë.
Opozita ka ngritur në parlament shqetësimin e sigurisë në shkolla, pas skandalit të zbuluar në Berat, ku një mësues i dënuar për pedofili punonte në shkollën "22 Tetori".
Deputetja e LSI-së, Erisa Xhixho, bëri përgjegjëse ministren e Arsimit, Evis Kushi.
I kërkoi sqarime për kriteret mbi të cilat ishte rekrutuar Engjëll Bregu në sistemin arsimor.
"Kam kërkuar këtë seancë pyetje-përgjigje duke marrë shkas nga rasti skandaloz ku një mësues i dënuar me vendim të formës së prerë për ngacmim seksual dhe pedofili ka arritur të kthehet në sistemin arsimor dhe të emërohet sërish si mësues në shkollën "22 Tetori" në Berat.
Ministrja, Evis Kushi, u justifikua me faktin se e kishte dënuar këtë rast dhe se po hetohet për të gjetur personat përgjegjës.
Gjithashtu ajo pohon se në 1 dhjetor ka firmosur udhëzimin që ndalon konkurrimin e mësuesve që janë dënuar më herët me vendim të formës së prerë për kryerjen e veprave penale që lidhen me sistemin arsimor.
"Unë vetë personalisht kam dënuar ashpër publikisht emërimin me kontratë të këtij mësuesi dhe nisëm menjëherë një hetim administrativ për të gjetur personat përgjegjës," tha Kushi.
Megjithatë për deputeten Xhixho këto vendime janë shumë të vonuara dhe ky rast dëshmon se sistemi i rekrutimit të mësuesve është korruptiv.
"Le ta themi troç që sistemi i rekrutimit nuk është difektoz, ai është korrupstiv," tha xhixho.
Gjithashtu, Xhixho bëri thirrje për kalimin sa më shpejt në Kuvend të ligjit për hartimin e regjistrit të pedofilëve të cilin e ka iniciuar vetë ajo.
