Incineratorët pa zë në parlament, mungojnë Basha dhe Rama, Tabaku: Nën akuzë duhet të jetë dhe Alqi Bllako

Përfshirja e ish-ministrit të Ramës në çështjen e incineratorëve  ka kaluar pa shumë  bujë në parlament, pasi demokratët angazhimin e tyre e kanë zhvendosur në përgatitjen e 18 dhjetorit. Kryedemokrati, Lulzim Basha, nuk e ka lënë zyrën e tij, ndërsa kryeministri Rama e shmangu një përballje me deputetët demokratë, duke mos u paraqitur në seancë.

Lufta për pushtet në Partinë Demokratike ka zhveshur selinë blu nga detyra e opozitës në Parlament, duke e lënë të qetë mazhorancën.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, nuk e ka shfrytëzuar seancën e parafundit plenare për të folur për aferën korruptive në të cilën është përfshirë një nga ish-ministrat e qeverisë Rama.

Në ditën që ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, përballej me akuzat për shpërdorim detyrë dhe përfshirje në korrupsion në gjykatë, Basha zgjodhi të qëndronte në seli.

E vetmja përfaqësuese e PD që e ngriti zërin në Parlamentin pothuajse bosh ishte Jorida Tabaku, e cila nënvizoi faktin se në çështjen e inceneratorëve është i përfshirë edhe deputeti i PS-së Alqi Bllako.

"Çdokush prej nesh, përfshirë edhe anën tjetër të këtij parlamenti e kanë të qartë që Lefter Koka nuk është i vetëm në këtë lojë.Mjafton t’ju përmend se sot në bankën e të akuzuarve duhet të jetë edhe deputeti Alqi Bllako që është zbuluar se ka një lidhje korruptive sepse babai i tij ka përfituar miliona në formë nën-kontraktimi nga kompanitë e inceneratorëve kur Bllako ishte sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Kokës.Mjafton të përmendim se Zv Kryeministri Arben Ahmetaj ka udhëtuar me Klodian Mirel Mërtirin dhe të tjerë ndërkohë që ai ka përfituar nga një kontratë që edhe Arben Ahmetaj e ka provuar 3 herë".

Por akuzat e deputetes demokrate nuk morën asnjë përgjigje nga socialistët, të cilët kanë vendosur ta kalojnë në heshtje përfshirjen e mundshme të deputetit të tyre në aferën korruptive të incineratorëve.

Madje, kryeministri Rama, ashtu si Basha, zgjodhi që të mos ishte në seancë, si një mënyrë për të shmangur përgjegjësinë e tij politike në përfshirjen e kabinetit të tij në korrupsion.