“Na përmbyti Qeveria, jo Perëndia”, fermerët e Kafarajt: Miliona euro dëme për shkak të argjinaturës
Zona e Kafarajt e cila njihet për kultivimin e luleshtrydhes në sera ka një numër të lartë fermerësh që janë prekur nga dalja e Vjosës. Dhjetëra fermerë u mblodhën të paraditen e së enjtes në autostradën Levan-Tepelenë për të protestuar. Ata duan dëmshpërblim, pasi sipas tyre nuk është natyra që i dënoi por Bashkia që ka bërë keq projektin për ndërtimin e argjinaturës së Vjosës në këtë fshat.
Pamjet që shihni janë pasojat e përmbytjeve të një jave më parë si pasojë e daljes së lumit Vjosë nga shtrati.
Uji vërshoi duke përmbytur qindra shtëpi, dhe toka të mbjella në zonën e Kafarajt të Fierit.
Fermerët humbën shpresat për prodhim cilësor këtë sezon në tokën me të cilën ata mbajnë familjen gjallë nga kultivimi i luleshtrydheve.
Një javë pas kësaj katastrofe ata kanë zgjedhur të dalin me pankarta në duar duke kërkuar daljen e përgjegjësive pasi katastrofën nuk e shkaktoi natyra por bashkia me projektin e argjinaturës.
"Nuk ka mbytur Perëndia por njerëzia, më saktë Qeveria."
Duke thënë se punimet për argjinaturën e lumit kanë dështuar qartazi, ata kishin një mesazh për kryeministrin Edi Rama dhe një për kryetarin e bashkisë Armando Subashi.
"Ura e autostradës së re të zgjerohet. Thua se i shpëtove njerëzit nga përmbytja, jo gabohesh. Edhe ata që nuk ishin mbytur, u zgjerua harta e përmbytjes".
Të pashpresë për të ardhmen ata shprehen se i gjithë mundi dhe investimi i tyre ka shkuar dëm.
"30 mln lekë në tre dynym sera."
Të kthyer nga emigracioni të tjerë fermerë thonë se kthimi në emigrim është mundësia më e mirë.
"Kam 6-7 vjet që jam kthyer nga emigrimi familjarisht. Jam përballur me situata shumë kritike, të përmbytemi çdo javë, viti i katërt, është katastrofë."
Por mes protestuesve ishte dhe një fëmijë i vogël, i cili ka një mesazh për kreun e qeverisë në prag të festave të fundvitit.
"Xhaxhi Edi Rama kur të shkosh ti blesh Zahos dhuratë mendo dhe për të gjithë fëmijët baballarët e të cilëve nuk kanë lekë për të blerë dhurata" thotë vajza e vogël.
