“Beteja” për HEC-et në Kaçinar, Prokuroria detyrohet të hetojë bashkinë Mirditë. Banorët: Ujin e mbrojmë me gjak!
Gjykata detyron prokurorinë e Lezhës të hetojë zyrtarët e Bashkisë Mirditë për dhënien e 5 lejeve për ndërtimin e 5 Hidrocentraleve në zonën e Kaçinarit në Mirditë. Togat e Zeza rrëzuan këtë të enjte kërkesën e prokurorisë për mbylljen e çështjes.
Prokuroria e Lezhës detyrohet të hetojë procedurën dhe zyrtarët e bashkisë së Mirditës të përfshirë në dhënien e lejeve për ndërtimin e 5 Hidrocentraleve në zonën e Kaçinarit.
Procedimi ishte regjistruar fillimisht nga nga SPAK për veprat penale "Shpërdorim Detyre" dhe "Falsifikim Dokumentash", dhe më pas i kaloi prokurorisë lokale.
Gjykata rrëzoi kërkesën e organit të akuzës për mbylljen e dosjes, duke vlerësuar se hetimi ka mangësi, ndaj e ka kthyer për plotësim.
Duke përshëndetur vendimin, banorët e Kaçinarit e cilësuan hetimin e prokurorisë të njëanshëm dhe në dëm të interesit publik.
Akuza kanë edhe për kryebashkiakun e Mirditës, Ndrec Deda, që sipas tyre është pozicionuar në mbrojtje të firmës private.
"Kryetari është faqja e zezë e rrethit të Mirditës."
"Mashtrim që na bëri Bashkia jonë."
Në rast se edhe gjykata do ti zhgënjejë, siç e cilësojnë një vendim të mundshëm për ligjshmërinë e procedurave, banorët thonë se nuk do të lejojnë HEC-e në Kaçinar.
"Pa u la me gjak ai lumë nuk merret uji, ujin na e ka lënë të parët dhe do ta mbrojhmë me gjak."
Koncesioni për HEC-et në Kaçinar të Mirditës është dhënë në vitin 2018, por deri tani banorët me protesta të vazhdueshme nuk e kanë lejuar kompaninë të nisë punën.
