Drejtohej nga një murator shqiptar, shkatërrohet rrjeti që trafikoi 800 kg drogë, fshihej në arkat me qepë
Një grup shqiptarësh kanë rënë në pranga me akuzën e trafikimit të rreth 800 kg drogë nga Afrika e Spanja drejt Barit, Riminit e në të gjithë territorin italian.
Droga udhëtonte nëpër Itali përmes kamionëve me arka me qepë për të fshehur erën e rëndë të hashashit e marijuanës, e për t'i shpëtuar kontrolleve të policisë.
Pas një viti hetimi, policia italiane e Riminit ka shkatërruar një grup trafikantësh shqiptarë të cilët menaxhonin trafikun e marijuanës, hashashit, por dhe sasi kokaine për llogari të personave të tretë.
Marijuana e hashashi trafikohej me anije nga Afrika e Veriut e Spanja e mbërrinte në Bari të Italisë. Më pas përmes kamionëve me fruta perime të një kompanie transporti me bazë në Puglia, udhëtonte drejt Riminit e tregtohej në tregjet ilegale.
Hetimet e operacionit të koduar "Bisha" , kanë nisur në tetor të 2020 e kanë çuar në urdhër arrestin e pesë shqiptarëve 21, 29, 30, 31 e 54 vjeç. Shqiptari 21 vjeçar është shpallur në kërkim e rezulton të jetë kthyer në Shqipëri.
Grupi drejtohej nga një 29 vjeçar shqiptar me profesionin murator e që kishte zëvendësuar vëllain pas arrestimit të tij në dhjetor të 2020.
Gjatë fazës hetimore, më dhjetor të 2020 janë sekuestruar 275 kg hashash e marijuanë fshehur mes arkave me qepë e 115 kg të tjera u kapën gjatë muajit tetor në Bresso në provincën e Milanos.
Për llogari të këtij grupi kriminal, më mars të 2021 në një garazhd në provincën e Barit u gjetën 400 kg të tjera hashash e u vu nën arrest një çift shqiptar.
Sipas hetuesve italiane kjo sasi droge do kishte destinacion rivierën e Riminit e kapte një vlerë tregu rreth 2 milionë euro.


