Ballkani i Hapur, Vuçiç në Tiranë më 20 dhjetor, Berisha ka paralajmëruar protesta
Kryeministri Rama do të mikpresë më 20 dhe 21 Dhjetor në Tiranë, presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Zoran Zaev. Ata do të mbërrijnë në Tiranë në kuadër të “Ballkanit të Hapur”. Ndërkohë, më herët, më 11 Dhjetor, ish-kryeministri Berisha do ta paralajmëronte publikisht Vuçiçin me protesta masive në rrugë nëse vinte në Tiranë.
Pak ditë më parë, në Kuvendin e demokratëve të 11 Dhjetorit, ish-kryeministri Sali Berisha do të paralajmëronte publikisht presidentin serb Aleksandër Vuçiç se çfarë e priste po të vinte në Tiranë.
“Ballkani i Hapur është Ballkani i Hegjemonisë serbe, i zonës së influencës direke ruse. Është Ballkani i interesave antikombëtare, anti-europiane, projekti që kërkon që të zëvendësojë shqiptarëve me kombe të tjera, procesin e Berlinit me procesin e Putinit. Ne zotohemi që t’i japim fund këtij procesi. Paralajmërojmë Sllobodanin e ri të Millosheviç, mos mendo që të vish në Tiranë. Sheshet dhe rrugët do t’i kesh plot në Tiranë”.
Ndërsa ish-kryeministri Berisha paralajmëroi protesta masive kundër Vuçiçit, ky i fundit pritet të mbërrijë më 20 dhe 21 Dhjetor në Tiranë.
Kryeministri Edi Rama do të mirëpresë në kuadër të procesit të “Ballkanit të Hapur”, presidentin serb dhe kryeministrin në detyrë të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Takimi i mëparshëm në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur” është mbajtur në fillim të nëntorit në Beograd.
Në takimin e dhjetorit, në Tiranë, pritet të nënshkruhet një Memorandum Mirëkuptimi për lejet e punës mes palëve.
Marrëveshja nënkupton se një leje pune e lëshuar në cilindo nga këto tre vende, Shqipëri, Maqedoni e veriut dhe Serbi, është e vlefshme për të gjithë anëtarët e nismës.
Dy vjet më herët, më 20 Dhjetor të 2019-ës, do të ishte Lëvizja Vetëvendosje në Tiranë që do të organizonte protestë kundër Vuçiçit.
Ballkani i Hapur është një proces që ka hasur në kundërshtinë e Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës.
Këto tre vende hezitojnë të bashkohen, sepse e cilësojnë si shtrirje të hegjemonisë serbe në rajon.
Kundërshtimeve të homologut të tij Albin Kurti sa i përket mosnjohjes së Kosovës nga Beogradi, Rama thotë se "Ballkani i Hapur" mund të ndihmojë që të zgjidhet problemi mes Serbisë dhe Kosovës, sepse ‘problemet mund të adresohen vetëm nëse të gjithë janë bashkë’.
Europianët e mbështesin këtë nismë, por vetëm si proces që është brenda atij të Berlinit. Sipas Ramës, "Ballkani i Hapur" është kompatibil me Procesin e Berlinit, iniciativë të cilën e themeloi ish-kancelarja gjermane Angela Merkel që shtetet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtare të BE-së.
Për këtë nismë ballkanike kanë reaguar edhe amerikanët, të cilët thonë se nëse në iniciativën "Balkani i Hapur" nuk përfshihen që të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, atëherë ajo nuk do të funksionojë, ndërsa sfidat e "Ballkanit të Hapur" mbeten kontrolli i kufijve pas hapjes së tyre, ulja e korrupsionit dhe ulja e kontrollit shtetëror në ekonomi.



