I akuzuar për bashkëpunim me ‘Habilajt’, vetëdorëzohet në polici, Gjergji Kohila
Dorëzohet në polici ish-shefi i krimit kundër narkotikëve në drejtorinë vendore të policisë së Vlorës, Gjergji Kohila.
Ora News mëson se ai është vetëdorëzuar në drejtorinë vendore të policisë së Tiranës mbrëmjen e sotme, i shoqëruar nga avokati.
Po ekzekutohet masa e gjykatës nga oficerët e narkotikëve në DVP Tiranë.
Në fillim të këtij muaji Gjykata e Posaçme e dënoi në mungesë me 8 vite burg.
Ish-zyrtari i policisë së Vlorës, ishte në kërkim nga drejtësia prej më shumë se tre vitesh.
Gjergji Kohila u shpall fajtor në mungesë nga shkalla e parë dhe u dënua me 8 vite burg, pasi përfitoi nga zbritja e gjykimit të shkurtuar.
Akuzat për të cilat u shpall fajtor ish-shefi i sektorit kundër krimit të organizuar të policisë së Vlorës e lidhin atë me trafik të narkotikëve në bashkëpunim në formën e grupit kriminal për të cilën mori 12 vite burg.
Ndërsa për grupin kriminal, ish-zyrtari Kohila u shpall fajtor dhe mori dhe dy vite të tjera burg, por siç deklaroi gjyqtari Artan Gjermeni në aplikim të gjykimit të shkurtuar, ai fiton një të tretën e uljes së dënimit.
Emri i Kohilës është në të njëjtën dosje të quajtur si “Habilajt”, e së bashku me të është edhe Sokol Bode, një tjetër ish-zyrtar policie që vijon të jetë në arrati, por që çështja e tij u veçua mbasi kërkoi gjykim të zakonshëm.