Afera e incineratorëve, Manjani: ‘Gur’ prove për SPAK, ka shumë aktorë brenda. Është skemë e organizuar mirë

Ish ministri i mjedisit, Lefter Koka, u arrestua dje nga SPAK për shpërdorim detyre dhe korrupsion me procedurat, kontratat dhe ndërtimin e incineratorit të mbetjeve urbane të Elbasanit, e cila shkonte në 21.6 milionë euro.

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, në një intervistë për RTV Ora me gazetaren Beti Njuma shprehet se pas kësaj afere fshihen persona që janë të pakapshëm.

Sipas tij, çështja me aferën e incineratorëve duhet të jetë ‘gur’ prove për SPAK, që kjo e fundit të thellojë hetimet dhe të zbulojë skemën korruptive, si dhe aktorët që janë të përfshirë në këtë aferë.

Ylli Manjani: Këto gjëra nuk duhet të ndodhnin. Autorët e kësaj gjëje janë ata që nuk kapen. Kjo gjë është shumë më e madhe. Publiku ka më shumë nevojë për informacion, për më shumë të vërteta. Kjo është një çështje që duhet të jetë gur prove për SPAK. Duhet të bëjmë dallimin  ndërmjet shkeljeve penale rutinë dhe SPAK-u nuk është për shpërdorimin e detyrës. SPAK është për të zbuluar skemën korruptive, për këtë punë është krijuar. Skema e incinerimit është gur prove sepse është vuliminoze, ka shumë aktorë brenda.

Ai thotë se nuk mund të bësh dot incirim mbetjesh pa vendimmarrje politike dhe nëse si ke mirë punët me qeverinë. Manjani shprehet se afera e incineratorëve është një skemë e organizuar mirë dhe sipas tij SPAK duhet të luftojë korrupsionin.

Ylli Manjani: Nuk bëhet pa vendimarrje politike. Nuk bën dot incenerim mbetjesh nëse nuk e ke mirë me qeverinë. Si është e mundur që vetëm një njeri e bën këtë punë, nuk ka të tjerë? Është një çështje komplekse që ka të bëjë nga një skemë, nga një gjë të organizuar mirë. Për këtë është krijuar SPAK, për të hyrë aty ku nuk hynte dot Prokuroria e zakonshme. SPAK është krijuar për të luftuar korrupsionin, jo për t’u marrë me bakshishe infermierësh.

Sipas njoftimit të SPAK, Ish ministri Koka, ka kërkuar dhe ka marrë nga dy shoqëritë përfitime monetare të tërthorta, duke krijuar me disa shoqëri të tjera skema fiktive për punime të pakryera, për të mbuluar korrupsionin e tij.

SPAK ka lëshuar dhe dy urdhëra arresti të tjera, për Klodian Zoton dhe Stela Gugallën, të dy të shpallur në kërkim, ndërsa janë vënë nën sekuestro aksionet e tyre në kompanitë që administrojnë

Përgatiti Anila Kolgjini.