Gjeta: Kriza politike do ndikojë në procesin e integrimit në BE. Rama s'do që Shqipëria të bëj hapa para
Politologu Altin Gjeta, teksa ka folur për integrimin e Shqipërisë në BE, është shprehur se vendimi për t’u ndarë nga Maqedonia e Veriut nuk i takon Shqipërisë.
Në një intervistë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, Gjeta thekson se Shqipëria dhe Maqedonia nga Komisioni Europian deri më tani janë trajtuar si ‘paketë’, dhe sipas tij kështu do të vazhdojnë dhe në vijim.
Megjithatë ai shton se kohët e fundit ka sinjale pozitive nga Bullgaria, e cila pak kohë më parë i vendosi veto, Maqedonisë së Veriut, gjë që pengoi dhe hapjen e negociatave, jo vetëm për Maqedoninë por edhe për Shqipërinë.
Altin Gjeta: Vendimin për t’u ndarë nga Maqedonia e Veriut nuk i takon Shqipërisë. Nuk mund ta marrë Shqipëria, sepse Shqipëria nuk është në një pozitë të tillë. Por ka pasur diskutime në nivel të Unionit Evropian, për ta shkëputur Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut nëse nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë, mes Maqedonisë, Shkupit dhe Bullgarisë.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë trajtuar si paketë deri më tani dhe mundësia është që të vazhdojnë të trajtohen si të tilla, prandaj dhe i gjithë fokusi i KE, është vendosur tek gjetja e një zgjidhjes mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ka disa sinjale pozitive.
Ai thotë se nuk beson që Shqipëria të bëjë hapa të rëndësishëm drejt BE, pasi sipas tij korrupsioni në vendin tonë është i përhapur në të gjithë nivelet e qeverisjes.
Altin Gjeta: Nuk mendoj se Shqipëria për një periudhë kaq të shkurtër do bëjë hapa të rëndësishëm në drejtim të përmbushjes së kritereve, por sigurisht do të duhet të punohet me to. Gjasat që Shqipëria të bëjë një proces të rëndësishëm janë të vogla, duke pasur parasysh edhe dobësitë strukturore të sistemimit të institucioneve shqiptare. Duhet pritur për të parë nëse drejtësia e re do të funksionojë në mënyrë të pavarur dhe funksionale. Korrupsioni në Shqipëri është i përhapur në të gjithë nivelet qeverisjes. Shqipëria në këto 6 muaj duhet të bëjë detyrat e veta, në mënyrë që mos ti pengohet rruga drejt BE.
Po ashtu Gjeta, shprehet se kriza në politikën shqiptare do të ndikojë në procesin e integrimit ndërsa thekson se edhe vetë Rama nuk duket se do që Shqipëria të bëjë hapa në procesin e integrimit.
Altin Gjeta: Kriza në PD ka gjasa që të ndikojë në dialogun politik mes palëve, dobëson opozitën dhe i pamundëson asaj që ta mbajë përgjegjëse qeverinë, të denoncojë aferat korruptive. Në një moment kur mazhoranca do të ishte jashtë kontrollit dhe vëmendjes së madhe të opozitës do të hidhen në arrogancë dhe do të ishte më disponuar për të kryer akte korruptive, për të shkelur ligjet rregullat.
Do të jetë një periudhë kohore e vështirë dhe e paqartë për politikën shqiptare dhe kjo do ndikojë edhe në hapat që do të hidhen drejt BE. Kryeministri Edi Rama nuk duket se do që Shqipëria të bëjë hapa në procesin e integrimit. Ai e ka normalizuar dështimin e Shqipërisë për të ecur përpara. Edhe në deklaratat publike ai fajëson vetëm vendet anëtare për ngecjen e integrimit. Në asnjë moment nuk pranon gabimet dhe mossukseset e qeverisë në këtë proces.
Përgatiti Anila Kolgjini.


