Incineratorët/ Tabaku: Lefter Kokën e kanë detyruar të jetë ‘Koka e turkut’ në këtë aferë. VKM-të kalojnë nga Rama

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, u arrestua një ditë më parë me urdhër të SPAK pas hetimeve për koncesionin e incineratorit të Elbasanit.

Deputetja e PD Jorida Tabaku, u shpreh se këtë lëvizje të SPAK e ka përshëndetur,por nga ana tjetër e ka konsideruar të cunguar pasi sipas saj, hetimi nuk është bërë i plotë.

Në një intervistë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, Tabaku ngre dyshime se Kokën e kanë detyruar të jetë në “Koka e turkut”, të kësaj afere, pasi ky i fundit dorëzoi dhe mandatin e deputetit pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Jorida Tabaku: Unë  e kam përshëndetur vendimin e SPAK, por  kam konsideruar atë si të mangut dhe të cunguar,  nëse hetimi nuk është i plotë dhe nëse nuk përfshin të gjithë personat që janë pjesëmarrës në këtë aferë. Mendoj se ka nisur një proces shumë i rëndësishëm. Ka nisur hedhja dritë ndaj fakteve që PD ka që prej vitit 2016 që i bën publike. Sot i kemi të provuara se ku kanë shkuar paratë. Është një sfidë për drejtësinë që të tregojë që shkon përtej atyre që kanë pushtet. Lefter Koka sot nuk ka pushtet. Koka është një ish-deputet që duke qenë se dha edhe mandatin e deputetit. Duket sikur e kanë detyruar që ai të jetë ‘Koka e turkut’ të kësaj afere.

Ajo thotë se para drejtësisë duhet të shkojnë kryetarët e bashkive, 3 ministra, sekretari i përgjithshëm i Kryeministrit dhe vetë Edi Rama, pasi sipas Tabakut edhe këta janë të përfshirë në aferë.

Jorida Tabaku: Duhet që hetimi i plotë të çojë para drejtësisë kryetarët e bashkive, 3 ministra, sekretarin e përgjithshëm të Kryeministrisë dhe Kryeministrin.

430 milion euro nuk janë pak. Vendimet e qeverisë nuk kalojnë brenda ditës nga Lefter Koka. Vendimet e qeverisë kalojnë nga Kryeministri. 17 vendime qeverie brenda një dite është e pamundur që t’i kalojë një individ. Kjo ka ndodhur në bashkëpunim me ministrat e tjerë, me sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë dhe me Kryeministrin. Kësaj ngjarje në Parlament për zoti i ka dalë Edi Rama dhe askush tjetër.  

Përgatiti Anila Kolgjini.