Zyrtare, përballja Itali-Argjentinë do të quhet Finalissima. Luhet në Wembley
Tashmë është edhe zyrtare. Italia do të rikthehet në Wembley për të fituar një tjetër trofe, gjithmonë nëse Messi do ta lejojë.
Ashtu siç ishte paralajmëruar, fituesja e Kampionatit Europian, Italia dhe fituesja e Copa America, Argjentina do të ndeshen në një ndeshje për të zgjedhur më të fortën e kontinenteve dhe sot është berë zyrtare vendi, ora dhe emri i kësaj përballjeje.
“Finalissima” është quajtur ky takim mes dy skuadrave emblematike dhe me shumë tifozë në Shqipëri dhe kudo në botë teksa “Wembley” është përzgjedhur si stadiumi ideal ku dy kombëtare kaq të mëdha të mund të luajnë një finale të tillë.
Më 1 Qershor, kampionët e Europës do të sfidojnë Messin me shokë dhe spektakli nuk do të mungojë sigurisht.
“Ka një traditë të gjatë bashkëpunimi mes UEFA-s dhe Conmebol-it, siç dëshmohet ndër vite me gara si Trofeu Artemio Franchi dhe Kupa Ndërkontinentale dhe me shumë krenari ne rinisim një trofe për kombëtaren kaq prestigjioze për kënaqësinë e futbolldashësve në mbarë botën. Mezi presim të eksplorojmë mundësi të reja së bashku dhe mezi presim finalen e madhe të Londrës në qershor 2022. Unë do të doja të falënderoja Alejandro Domínguez për angazhimin e tij ndaj këtij projekti dhe punën e tij të jashtëzakonshme në krye të futbollit të Amerikës së Jugut”, tha presidenti i organizatës më të lartë evropiane Ceferin i cili firmosi që ky bashkëpunim, pra një kupë e tillë të luhet të paktën deri në vitin 2028./Ora News/.
