Rama në Berat: Do të japim deri në 10 mijë $ për shndërrimin e shtëpive në qendra historike
Kryeministri Edi Rama prezantoi nga Berati një nismë që u jep mundësi pronarëve në qendrat historike të qyteteve të investojnë në shtëpitë e tyre tradicionale. Shuma që mund të përfitojnë familjet shkon deri në 50 mijë dollarë, ndërsa Kryeministri tha se këto para nuk do të jenë kredi por dhuratë bazuar në një angazhim të subjekteve që duhet të prezantojnë një projekt dhe duhet të vendosin edhe ata një shumë parash.
Deri në 50 mijë dollarë do të ofrojë qeveria për të gjithë ata që do të duan të zhvillojnë pronën e tyre në qendrat historike të qyteteve.
Kryeministri Edi Rama ka shpjeguar nga Berati “Bonusi i rijetëzimit” që është një grant për çdo familje që do të investojë në kthimin e shtëpisë së vjetër tradicionale në një hapësirë zhvillimi ekonomik.
Rama: Me këtë program të ri mbështetës, ne jemi në krah, siç e tha ministrja Margariti me dy instrumente mbështetjeje: një për restaurimin dhe konsolidimin e guaskës së shtëpisë, mureve, dritareve, dyerve, fasadës apo çatisë ku do të japim 10 mijë dollarë mbështetje, dhe për instrumentin e dytë, për të gjithë ata që do të duhet të futen në një plan transformimi dhe vënie në funksion ekonomik të shtëpisë, deri në 50 mijë dollarë.
Kryeministri tha se do të merren masa shtrënguese në ato raste kur konfliktet mes bashkëpronarëve rrezikojnë godina të rëndësisë së veçantë.
Rama: Do të ndërhyjmë siç bëjnë të gjitha vendet e tjera, me masa shtrënguese për rastet kur godina të rëndësisë së veçantë, vihen në rrezik nga sherret e bashkëpronarëve që nuk merren vesh me njëri-tjetrin dhe kërcënojnë, duke mos u marrë vesh me njëri tjetrin, duke mos vënë dot godinën në përdorim, rrezikojnë shkatërrimin e saj.
Në një dëgjesë publike me qytetarë e sipërmarrës në fushën e turizmit, Kryeministri tha se kjo nismë do të ndihmojë në zhvillimin e turizmit si dhe do të fuqizojë ekonomikisht.
Rama: Sa më shumë të kemi shtëpi të tilla të transformuara, aq më shumë do kemi turistë, se do kemi kapacitet mbajtës përtej një dite të vetme dhe ky është qëllimi, që t’u japim mundësi turistëve që të kenë një hartë me disa stacione dhe kështu në çdo zonë të Shqipërisë të mund të programojnë më shumë se sa vajtje, ardhje brenda një dite e patjetër aq më shumë do të rrisim edhe të ardhurat.

