Nën ujin e Vjosës, situatë e rëndë në Vlorë dhe Fier, evakuohen banorët

Reshjet e dendura të shiut krijuan një situatë alarmante në Vlorë dhe në Fier. Dalja e Lumit Vjosë nga shtrati përmbyti dhjetëra shtëpi, ndërsa familje të tëra u detyruan të evakuoheshin duke lënë gjithçka pas. Ndërkohë në zonat e thella të Korçës dhe Shkodrës dëbora ka krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve dhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Reshjet intensive të shiut bënë që Lumi i Vjosës të arrijë kuotat maksimale dhe të dalë nga shtrati.

Më shumë se 17 shtëpi u mbuluan me ujë deri në katet e dyta tek Ura e Mifolit në anën e Vlorës.

Dhjetëra banorë u evakuuan duke lënë pas gjithçka që kishin, ndërsa niveli i ujit nisi të ulej vetëm pasdite.

Edhe në Fier ishte e njëjta situatë.

Fshati Ferrat u mbulua nga uji, ndërsa edhe atje u evakuuan familje të tëra.

Ushtria me mjete të rënda, dhe me varka shkoi në zonë për të bërë të mundur nxjerrjen e njerëzve nga zonat e rrezikut.

Kreu i emergjencave civile Haki Çako tha në mesditë se niveli i Vjosës është në rënie dhe paralajmëroi përmirësim të situatës.

"Niveli është kritik në urën e Mifolit, shpresojmë në rënien e nivelit të lumit Vjosa nisur dhe nga informacionet," tha Çako.

Reshjet e dendura nxorën nga shtrati edhe lumin Seman në disa fshatra të Lushnjes, ku dhjetëra hektarë tokë u përmbytën.

Teksa Jugu po kalon orët të vështira nga përmbytjet, veriu dhe juglindja janë përfshirë nga reshjet e dëborës.

Reshjet e pandërprera të borës kanë vështirësuar qarkullimin e automjeteve në rrugën e Arbrit.

Shumë drejtues mjetesh e kanë pasur të pamundur lëvizjen dhe kanë përfunduar jashtë rrugës.

Në Korçë në rrugën e Dardhës trashësia e dëborës shkon deri në 70 centimetra, ndërsa qarkullimi bëhet vetëm me zinxhirë.

Zonat e Voskopojës, Devollit dhe Pustecit kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa ka dëmtime të këmbëve të urave në disa fshatra në bashkine Kolonjë, nga prurjet e shumta të përrenjve.

Situatë e vështirë paraqitet edhe në Vermosh të Shkodrës, ku rrugët janë vështirësisht të kalueshme. Në Peshkopi Trashësia e dëborës shkon në 10 cm, ndërsa në zona të thella kalon mbi 70 cm.

Të bllokuara janë rrugët që lidhin qytetin e Peshkopisë me Njësit Administrative Lurë, Selishtë, fshatrat e Kalasë së Dodës, Sllovës, Luznisë dhe një pjesë e fshatrave të Tominit dhe Melanit. Gjithashtu dhjetëra fshatra janë të bllokuar edhe në Bulqizë e Burrel.