Nën-Shkodra përgatitet për shiun, ndërtohen porta pritëse të ujit, Këshilli i Kullimit nuk ndërhyn
Nën- Shkodra është një prej zonave e cila përmbytet pothuajse çdo vit, ndërsa atje kanë munguar vazhdimisht ndërhyrjet serioze. Edhe këtë vit është ndërhyrë, ndërsa institucionet ia drejtojnë gishtin njëra-tjetrës për kanalet kulluese.
As këtë vit zona e Shkodrës nuk i shpëtoi ndërhyrjeve emergjente për të shmangur përmbytjet. Më të rrezikuara mbeten njësitë administrative të nën Shkodrës, si Dajçi, Ana e Malit dhe Berdica.
Administratori i Dajçit Gjovalin Darragjati kërkon që në kolektorin e Berdicës të vendosen 5 porta që të shmanget vërshimi i ujërave që përmbyt toka e shtëpi në Darragjat e Shirq.
“Uji vërshon krejt lirshëm, dhe këto porta janë rregullator për Verës për Ujitje dhe Dimrit për mospërmytje.” u shpreh Gjovalin Darragjati, administrator i Dajçit.
Detyrimi që të kryhen këto ndërhyrje i ka bordi rajonal i kullimit Lezhë, i cili ende nuk ka vepruar.
“Është premtuar që do ndërhyhet dhe deri në këtë moment që flasim nuk është ndërhyrë.”
Paralelisht në zonën e Berdicës ministria e Bujqësisë bashkë me reshjet ka nisur zbatimin e projektit të mbrojtjes së tokës nga gërryerjet. Panelet që përforcojnë brigjet e Drinit do të ndihmojnë që përmbytjet të mos avancojnë në këtë zonë, ku ndër vite kanë bllokuar edhe qarkullimin e aksit Shkodër – Lezhë.
“Kjo krijon një farë mbrojtje, është shtuar 3 metër. E largon ujin, nuk i gërryen dot gurët.”- u shpreh Muharrem Rexha, drejtues i punimeve.
Aktualisht projekti është i pjesshëm, prandaj kërkohet zgjerimi i tij në të gjitha brigjet e Drinit, që të garantohet mbrojtja e plotë e tokave dhe shtëpive të kësaj njësie.
Janë 60 vite që në këtë zonë nuk është ndërhyrë, ndërsa rrezikun më të madh nën Shkodra e ka me hapjen e portave të hidrocentraleve, pasi shkarkimet rrisin prurjet në Drin e Bunë dhe vërshimi i ujërave bëhet i pashmangshëm.

