Komisioni i Rithemelimit thirrje anëtarëve të PD: Bojkotoni Këshillin Kombëtar të thirrur nga Basha

Komisioni i Rithemelimit ka ftuar përmes një deklarate të gjithë anëtarët e Këshillit Kombëtar të bojkotojnë deputetin Lulzim Basha dhe të mos përçajnë Partinë Demokratike. 

Komisioni i kujton Këshillit Kombëtar se ditën e djeshme me 4446 vota Kuvendi Kombëtar i PD-së vendosi shkarkimin e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit, për shkelje të rënda statutore, si dhe konstatoi paligjshmërinë e pjesës më të madhe të kryesisë si të zgjedhur në dhunim flagrant me statutin e PD-së.

Gjithashtu, i bëhet me dije Këshillit se Kuvendi Kombëtar ka mandatuar Komisionin e Rithemelimit për të përmbushur vakumin e krijuar deri në zgjedhjen e kryetarit dhe kryesisë së re.

Nisur nga këto vendime, Komisioni i Rithemelimit i kujton anëtarëve  se mbledhja e Këshillit e thirrur nga deputeti Lulzim Basha është nul dhe e paligjshme, dhe si e tillë ajo duhet bojkotuar, pra anëtarët e Këshillit Kombëtar të mos bëhen pjesë e paligjshmërisë. Gjithashtu të mos bëhen pjesë e përçarjes dhe përjashtimeve nga PD për karrigen e thyer të Lulzim Bashës.

“Sot është momenti të bashkohemi duke dëgjuar zërin dhe vullnetin e demokratëve!”, apelon Komisioni i Rithemelimit në PD.