"Demokracia është çështje votash dhe shumice, jo princash e ushtri që i shkon nga pas", Kulluri: Mori fund cikli Bashës
Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së Edvin Kulluri në një lidhje të drejtpërdrejtë në Ora News, i shikon si pozitive punimet e Kuvendit të djeshëm, 11 dhjetor që u zhvillua në "Air Albania" i thirrur nga zoti Berisha dhe delegatët e PD-së.
Kulluri: Mori fund cikli i Lulzim Bashës në PD, një kryetar arrogant, njeri që nuk dëgjonte, nuk komunikonte, merrte vendime personale duke shkelur çdo princip mbi të cilin është krijuar PD në '90. Ky Kuvend është lajmi më i mirë i 8 viteve të fundit.
I pyetur se çfarë do të ndodhë me faktin që Lulzim Basha nuk i pranon rezultatet e Kuvendit, Kulluri u shpreh se ai nuk është gjyqtar, as përmbarues.
Kulluri: Basha është ish-kryetar i PD-së. Anëtarësia e partisë do ta ratifikojë me referendumin që do mblidhet vendimin e Kuvendit. Ky Kuvend i madh dhe ky referendum përfaqësojnë vullnetin e një shumice shumë më të madhe se shumica absolute. Në këtë kuptim zoti Basha nuk e ka në dorë ta njohë, mos ta njohë Kuvendin, është Kuvendi që nuk njeh Bashën dhe e shkarkoi. PD nuk është biznes familjar i një njeriu.
Kulluri u shpreh se në Kuvendin e mbajtur në "Air Albania" nuk është marrë asnjë vendim antiamerikan, janë marrë vendime për të demokratizuar partinë.
Kulluri: Shtylla kryesore e partisë janë demokratët. Nuk ka parti politike pa anëtarësinë që është bashkuar në mënyrë vullnetare në këtë trupë. Dje ka qenë Kuvendi Kombëtar i Shqipërisë, nuk ka qenë Kuvendi i askujt tjetër.
Sipas tij, demokracia është çështje votash dhe shumicë, nuk është çështje princash dhe ushtrish që i shkojnë nga prapa.
