Kina dhe Rusia shqetësimet e G7-ës, Samit në Liverpool, pjesëtarët kërkojnë të shfaqin kohezion

Kina dhe Rusia ishin temat kryesore të bisedës mes 7 vendeve më të industrializuara të botës që u mblodhën këtë fundjavë në Liverpool. Përqendrimi afatgjatë duhet të jetë ndaj këtyre dy fuqive, ishte mesazhi që përcollën anëtarët e G7-ës.

Tensionet me Kinën dhe Rusinë ishin tema qendrore e takimit të vendeve anëtare të G7-ës këtë fundjavë në Liverpool.

Ata kërkuan të paraqisnin kohezionin e tyre në vendime dhe qëndrime, teksa theksuan se në afatgjatë, përqendrimi strategjik është ndaj këtyre dy fuqive.

Rusët, sipas amerikanëe, kanë dislokuar rreth 100 mijë trupa ushtarake në kufi me Ukrainën, gjë që ka shqetësuar vendet e perëndimit.

Sipas ekspertëve ushtarakë, një konflikt në Ukrainë do të shpërndahej shumë shpejt edhe në vende të tjera perëndimore, teksa miliona do të emigronin prej vendit të tyre.

Deri më tani, sa i përket Ukrainës, të dyja palët, rusët dhe amerikanët e kanë cilësuar vijë të kuqe. Kremlini mohon se planifikon të pushtojë Ukrainën, por ka kërkuar garanci se NATO nuk do të zgjerohet më tej në lindje.

Sa i përket Kinës, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të G-7-ës po kërkojnë një përgjigje koherente ndaj rritjes spektakolare ekonomike dhe ushtarake të Kinës gjatë 40 vjetëve të fundit.

Rishfaqja e Kinës si një fuqi udhëheqëse globale konsiderohet të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme gjeopolitike të kohëve të fundit, krahas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991 që i dha fund Luftës së Ftohtë.

Sekretari amerikan Blinken udhëton në Azinë Juglindore këtë fillimjavë në një përpjekje për të krijuar një front të bashkuar kundër Kinës në Indo-Paqësor.