Tornadot në SHBA, mbi 80 të vdekur, Presidenti Joe Biden: Shkak u bën ndryshimet klimatike

Bilanci i të vdekurve nga tornadot e të shtunës në Shtetet e Bashkuara është rritur në 80, ku shumica prej tyre ishin punëtorë të turnit të natës. Pamjet pas tornadove ishin apokaliptike për qytetet e pesë shteteve të prekura. Presidenti Biden tha se këto ishin tornadot më të fuqishme në histori.

Dhjetëra tornadot e fuqishme që përfshinë 5 shtete të SHBA-ve, kanë lënë mbi 80 të vdekur, dhjetëra të tjerë të plagosur e qindra apo mijëra të pastrehë.

Më shumë se 70 persona humbën jetën në Kentaki, shumë prej të cilëve punëtorë të një fabrike qirinjsh, ndërsa 6 të tjerë humbën jetën në Illnois teksa ishin duke punuar gjatë natës në magazinën e kompanisë Amazon, të miliarderit Jeff Bezzos.

Themeluesi i Amazon u shpreh se ishte zemërthyer nga lajmi tragjik, duke shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave.

Presidenti Joe Biden në një reagim të tij e quajti ngjarjen si tragjike, pasi ishin tornadot më të fuqishme dhe se shkaktar për rënien e tyre janë ndryshimet klimatike.

"Është një tragjedi, ende nuk e dimë sa jetë njerëzish kanë humbur dhe as shkallën e plotë të dëmit. Fakti është se ne të gjithë e dimë se gjithçka ka të bëjë me ndryshimet klimatike."

Presidenti Biden u bëri thirrje guvernatorëve se ishte gati t’i ndihmonte përmes ndihmave urgjente federale.

Një qytet me 10 000 banorë në Kentaki, Mayfield pothuajse u rrafshua nga tornadot e fuqishme dhe pamjet e pas shpërthimit i ngjasonin një apokalipsi.

Ekipet e kërkim shpëtimit ende po punojnë për të shpëtuar sa më shumë njerëz, ndërsa ende nuk dihet se sa banorë kanë mbetur të pastrehë.

Tornadot e fuqishme, përfshinë edhe shtetet e Arkansas, Misurit dhe Tenezin.