Tragjedi në Siçili të Italisë, 3 ndërtesa janë shembur, duke lënë tre të vdekur e 6 të zhdukur
Në orët e para të së dielës, tre banesa janë shembur si pasojë e një shpërthimi në njërën prej tyre në Siçili, duke lënë tre të vdekur dhe disa të zhdukur. Ekipet e kërkim-shpëtimit po punojnë për të nxjerrë nga rrënojat çdo person që mund t’i ketë shpëtuar plagëve nga shpërthimi i gazit natyror.
Tre ndërtesa janë shembur në qytetin Ravanusa në Siçili.
Si pasojë, kanë humbur jetën tre persona, 6 të tjerë rezultojnë të zhdukur, ndërsa dy kanë mbijetuar.
Ndërtesat janë shembur si pasojë e shpërthimit të një tubi gazi natyror në njërën nga vilat, i cili dyshohet se është grumbulluar nën tokë ose në një mjedis të mbyllur.
Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar edhe 4 banesa të tjera.
Ekipet e kërkim-shpëtimit po punojnë për të gjetur njerëzit të cilët ndodhen nën rrënoja.
Shpërthimi ka ndodhur gjatë orëve të para të së dielës, duke i gjetur strukturat vendore të papërgatitura.
Shpërthimi sipas autoriteteve lokale mund të ketë ardhur edhe si pasojë e përdorimit të ashensorit, duke shtuar se në ditët në vijim do të kryhen hetime më të detajuara.
Në godinën katërkatëshe, tashmë të shkatërruar nga shpërthimi, ndodheshin 9 anëtarë të një familjeje, ku një u gjet i vdekur, dy u shpëtuan dhe një e moshuar rreth 80 vjeç u dërgua me urgjencë për në spital, pasi ka marrë plagë të rënda.
Familjarët e tjerë rezultojnë të zhdukur, mes tyre një infermiere e cila ishte në muajt e fundit të shtatzënisë dhe bashkëshorti i saj.
Teknikët që shpërndajnë gaz-metanin kanë arritur të izolojnë rrjedhjen e gazit, duke siguruar gjithë zonën.
Në vendin e ngjarjes ndodhen forca zjarrfikëse edhe nga Agrigento, Palermo, Catania, si edhe Kryqi i Kuq, Mbrojtja Civile dhe karabinierët.
