Fatkeqësi e dyfishtë natyrore/ Në perëndim zjarre, e në lindje përmbytje

Australia po goditet nga dy fatkeqësi të mëdha natyrore, nga njëra anë zjarret në perëndim, ndërsa nga ana tjetër reshjet e dendura që po shkaktojnë përmbytje të mëdha në lindje të vendit.

Mediet vendase raportojnë se pas disa javësh me temperatura të larta, zjarret shpërthyen në Australinë perëndimore, në zonën turistike të lumit Margaret, e cila njihet për temperatura ekstreme të nxehta në verë.

Nuk raportohet për të lënduar apo dëme materiale, por flakët e mëdha kanë krijuar shtollunga të mëdha tymi në qiell.

Si rrjedhojë, autoritetet dhanë alarmin dhe u  kërkuar banorëve të disa zonave të largohen nga  shtëpitë e tyre dhe të shkojnë në vende më të sigurta.

"Veproni menjëherë për të mbijetuar”, ishte mesazhi i zjarrfikësve të shtetit.

Në një kohë kur bregdeti australian, i cili laget nga Oqeani Indian, po përjeton temperatura deri në 40 gradë Celsius, ana tjetër e Australisë, ajo në Oqeanin Paqësor, prej muajsh është përfshirë nga reshje të mëdha shiu.

Në disa zona në jug të Sidneit, të cilat u goditën nga zjarret më të këqija në historinë e vendit vetëm dy vjet më parë, niveli i ujit është rritur 21 centimetra në 24 orët e fundit.

Nëntori ishte muaji me reshjet më të mëdha në 122 vjet dhe ishte ndër nëntorët më të ftohtë të regjistruar ndonjëherë në vend për shkak të kushteve atmosferike.

Sipas shkencëtarëve, ngjarjet ekstreme të motit janë përkeqësuar për shkak të ndryshimeve klimatike, si edhe për shkak të aktiviteteve njerëzore.

Vitet e fundit Australia ka përjetuar një sërë përmbytjesh të rënda, zjarre masive në pyje dhe periudha thatësire.