Vatikani ndez pemën e Krishtlindjes, ndriçohet skena e lindjes së Krishtit
Një ceremoni u mbajt në sheshin e "Shën Pjetrit" për të përuruar pemën zyrtare të Krishtlindjeve në Vatikan. Pema e këtij viti është një bredh 28 metra i lartë nga Andalo, rajoni verior i Trentino-s në Itali. Tradita e zbukurimit të një pemë të madhe të Krishtlindjeve të bazilikës së "Shën Pjetrit" u iniciua nga Papa Gjon Pali në vitin 1982.
Vatikani ndez pemën e Krishtlindjes dhe skenën e Lindjes së Krishtit të vendosur në Sheshin e “Shën Pjetrit” në një atmosferë të ngrohtë festive. Nën shiun e madh, njerëzit prisnin momentin e ndriçimit ndërsa ceremonia zyrtare mbahej brenda sallës Pali VI, ku Papa Françesku mban audiencat e përjavshme.
Skena e Lindjes së Krishtit, e përbërë nga më shumë se 30 pjesë të krijuara nga artistë peruanë, u zbulua në mëngjes. Ndërsa bredhi madhështor prej rreth 28 metrash vjen nga Andalo, në rajonin verior të Trentino-s në Itali.
Ai peshon plot 8 ton dhe është zbukuruar me sfera të veçanta prej druri. Bredhi i Krishtlindjes u vendos për herë të parë në sheshin e Shën Pjetrit në vitin 1982 – ndërsa ishte Papë, Gjon Pali II - dhe që atëherë është kthyer në traditë të përvitshme.
Pema e Krishtlindjes duket se e ka zanafillën e saj të krishterë në vendet nordike. Thuhet se lidhet me festën e Adamit dhe Evës, që kremtohej në Gjermani më 24 dhjetor. Bredhi konsiderohej si pema e Parajsës, nga degët e së cilës vareshin frutat simbolike. Më vonë, iu vendos një yll në majë.
Betlehemi dhe Pema në Sheshin e Shën Pjetrit do të qëndrojnë të ekspozuara deri të dielën, më 9 janar 2022, në festën e Pagëzimit të Zotit, e cila mbyll periudhën e Krishtlindjes.

