‘Thyhet akulli’ mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Iraelit
Kryeministri Naftali Bennett do të jetë i pari që do zhvillojë një vizitë zyrtare në Abu Dabi, pasi më shumë se një vit Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruan marrëveshje paqeje për t’i dhënë konflikteve disa vjeçare të Izraelit me vendet e botës arabe.
Naftali Bennett është kryeministri i parë i Izraelit që udhëton drejt Emirateve të Bashkuara Arabe në kuadër të një vizitw zyrtare.
Zyra e kryeministrit Bennett deklaroi për mediet se ai do të udhëtojë të dielën drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, me ftesë të princit të Abu Dabit, Mohamed bin Zayed.
Të hënën, Bennett pritet të takohet me princin Mohamed bin Zayed i cili është edhe sundimtar i Emirateve.
Bisedimet mes dy zyrtarëve pritet të përqendrohen në raportet mes dy vendeve, por do të flitet edhe për tema të tjera që lidhën me ekonominë apo situatën në rajon.
Shtatorin e vitit të kaluar, Izraeli nënshkroi një mori marrëveshjesh me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejnin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Marrëveshja mes këtyre shteteve u bë me ndërmjetësimin e ish-presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.
Në verë, Emiratet Arabe hapën ambasadën e tyre në Tel Aviv.
Të dy shtetet vendosen fluturime direkte mes tyre, ndërsa ekonomia konsiderohet pika e përbashkët në përmirësimin e raporteve. Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe krijuan aleancë edhe për t’i bërë ballë kërcënimeve të Iranit.
