Vdekja e punëtorit në Bulqizë, shkak mungesa e sigurisë në punë, arrestohet drejtuesi i fabrikës
Policia ka zbardhur ngjarjen e së enjtes, 9 dhjetor në Bulqizë ku në fabrikën e pasurimit të kromit ka humbur jetën Mustafa Kamishi. Ngjarja tragjike edhe këtë herë ka ndodhur për shkak të mungesës së sigurisë në punë. Në pranga ka rënë drejtuesi i fabrikës së përpunimit dhe dy kolegët e viktimës që mesa duket janë munduar të fshehin ngjarjen.
Mustafa Kamishi, 65 vjeçari i cili humbi jetën të enjten në fabrikën e pasurimit të kromit në Bulqizë ka vdekur në vendin e punës, ku si rëndom ndodh në Shqipëri nuk kishte kushtet e duhura të sigurisë .
Një ditë pas ngjarjes mësohet edhe dinamika ku rezulton se viktima ka qenë duke punuar në vendin e grumbullimit të ujërave nga përpunimi i kromit.
65 vjeçari ka qenë duke punuar në një varkë të improvizuar dhe mesa duket rrëzimi në ujë ka qenë fatal për të.
Musafa Kamishi ka qenë duke punuar së bashku me kolegët e tij Rruzhdi Koçi dhe, Avni Alliu .
Dyshimet e para ishin se kamishi ka vdekur nga infarkti, por gjithçka u zbulua disa orë pas ngjarjes të cilën mesa duket dy kolegët e tij janë munduar ta pengojnë .
Ndërsa 53 vjeçari Islam Nika akuzohet se ka kryer veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Moskallëzim Krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” e kryer ne bashkëpunim.
