"Escobar nuk erdhi të ndajë shapin nga sheqeri mes 2 Kuvendeve të PD", Murati: U zhgënjyen ata që kishin pritshmëri se do arrestonte dikë

I dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë ditën e sotme, 9 dhjetor. Ai takoi fillimisht kreun e opozitës Lulzim Basha, ministren e Jashtme Olta Xhaçka dhe në fund kryeministrin Rama.

Pasi përcolli zyrtarin e lartë të Shteteve të Bashkuara, Lulzim Basha, tha se objektivi i Partisë Demokratike ka qenë dhe mbetet lufta kundër krimit dhe korrupsionit.

"Padiskutim që çështja e pandëshkueshmërisë, sikundër politikat e sanksioneve "non grata" ishin pjesë e diskutimit, ndërsa për sa i përket çështjeve që i takojnë vendimeve të DASH jam i bindur që do keni mundësinë të dëgjoni drejtpërdrejt nga zoti Escobar qëndrimet e DASH," tha Basha.

Gazetari Eri Murati i ftuar në studion e RTV Ora me gazetaren Beti Njuma u shpreh se "Shqipëria është një nga vendet më të korruptuara të Evropës dhe nëse marrim mesazhet e ndërkombëtarëve në 30 vitet e fundit sa herë që kanë vizituar Tiranën, kanë qenë luftoni korrupsionin."

Murati: Nuk ka asgjë të re, të paktën në qëndrimin publik të Escobar, i cili ka mbështetur Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit, ka shprehur mbështetjen që SHBA i jep Shqipëriaë për tu anëtarësuar në BE  dhe ka konfirmuar marrëdhëniet e mira mes SHBA-së dhe Tiranës. Kemi të bëjmë me një zyrtar të lartë dhe ata japin mesazhe jo për aktorë të caktuar, por nga një shtet në shtetin tjetër. Mesazhi  i tij ishte mjaft diplomatik dhe ndoshta dikush është zhgënjyer nga kjo. Padashur ndoshta i ka rritur pritshmëritë që Escobar do vijë ose të arrestojë dikë, ose të rreshtohet pro dikujt kundër dikujt tjetër.

Murati u shpreh se nga vizita e Escobar nuk pati asnjë surprizë, qëndrimi i tij ishte mjaft i ftohtë dhe korrekt. Sipas tij, të dy liderët, Rama dhe Basha kanë nxituar për të shpallur mbështetjen amerikane, por njoftimi i Ambasadës është mjaft i rezervuar.

Murati: Nga njëra anë zoti Rama thotë se Escobar mbështeti Ballkanin e Hapur, por Ambasada këtë nuk e thotë dhe nga ana tjetër zoti Basha flet për një partneritet mes SHBA-së PD-së, flet për vizitën e tij në Uashington a thua se ka një marrëdhënie speciale.

Murati e shikon vizitën e Escobar si pjesë të një turi Ballkanik dhe sipas tij "nuk është e vërtetë që ai erdhi të ndajë shapin nga sheqeri mes dy Kuvendeve të PD."

Murati: Nuk mund të vijë zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit për një krizë të brendshme partiake, aq më tepër të një partie në opozitë. Ai vjen për të dhënë mesazhe shtetërore.

Gjatë vizitës të tij në Maqedoninë e Veriut Escobar zhvilloi një takim edhe me Presidentin Pendarovski. Ndërsa në Shqipëri nuk pati një takim me zotin Meta. Murati u shpreh se është e dukshme që ka një ngërç mes DASH dhe presidencës shqiptare, mes ambasadës dhe Presidencës.

Murati: Kjo marrëdhënie nuk i kushtohet thjesht një vendimi të Presidentit Meta, por një marrëdhënie të palumtur që është shtrirë  gjatë 3 viteve të fundit. Nga ana tjetër mund të ketë dhe një arsye tjetër pasi Maqedonia po lalon një periudhë destabiliteti politik.

Escobar paralajmëroi se do të ketë shpallje të tjera "non grata" në radhët e politikës. Murati u shpreh se praktika që ndjek SHBA është se nuk shpallin "non grata" njerëz që janë në detyrë ose funksionarë që janë në detyrë ekzekutive. Sipas tij, kështu justifikohet dhe fakti s që Berisha u shpall "non grata" shumë vite pasi la detyrën si kryeministër i Shqipërisë.

Intervistoi Beti Njuma, përgatiti Xhuljana Zhuleku