“Shtëpitë e barit” bëhen biznes familjar, babë e bir kultivonin kanabis në Durrës, burrë e grua në Shkodër
Kultivimi i kanabisit në të ashtuquajturat shtëpi bari po kthehet në biznes familjar. Babë e bir u arrestuan në Durrës këtë të hënë, ndërsa një çift bashkëshortësh u prangosën në Shkodër të premten, pasi kultivonin bimë narkotike me llamba.
Një shtëpi e bari është zbuluar në Shën Vlash të Durrësit.
Sherif dhe Igli Kola, babë e bir kishin përshtatur katin e katërt të vilës ku jetonin për kultivimin e bimëve narkotike.
Aty kishin vendosur llamba dhe rrisnin kryesisht kanabis sativa.
Policia e Durrësit kishte marrë informacion ndaj mësynë në banesë në kuadër të operacionit "Meshigli".
Në katin e katërt, të vilës u zbulua laboratori.
15 kg e 100 gramë lëndë e dyshuar kanabis sativa u gjetën e tharë dhe e gatshme për tu shitur, ndërsa 254 bimë narkotike ishin në proces rritje.
Në banesën e Sherif Kolës, policia identifikoi një lidhje të paligjshme energjie që përdorej për të furnizuar llambat e rritjes së kanabisit.
Ndaj bashkë me babë e bir si kultivues, në pranga përfunduan edhe tre punonjës të OSHEE për moskallzim krimi e shpërdorim detyre.
Të premten një laborator për rritjen e kanabisit u zbulua në bodrumin e një vile në Jeran të Shkodrës.
Gjatë aksionit policia sekuestroi 139 kilogram kanabis të gatshme për treg dhe 132 fidanë kanabis sativa në proces rritje me 63 llamba që furnizoheshin me lidhje të paligjshme energjie.
Në pranga përfundoi 45-vjeçarja, Marjana Vuksanaj, të cilën gjykata e Shkodrës e nxori nga qelia me masën arrest shtëpie.
Ndërsa bashkëshorti 55-vjeçar, Gjovalin Vuksanaj, që dyshohet organizator i shtëpisë së barit është ende në arrati.
