"Do të shkoj në Kuvendin e 11 Dhjetorit", Kadilli: PD duhet të ketë një lidership të ri dhe të panjollosur
Prej 9 shtatorit në PD ka filluar një luftë e brendshme mes liderit aktual Lulzim Basha dhe liderit historik Sali Berisha.
Sali Berisha me mbledhjen e mbi 4200 firmave ka thirrur Kuvendin Kombëtar të PD-së më 11 dhjetor, ndërsa Lulzim Basha më 18 dhjetor.
Fatbardh Kadilli, pavarësisht se nuk mbështet hapur asnjë krah, ka deklaruar se do të marrë pjesë në Kuvendin e thirrur nga Berisha më 11 dhjetori. I ftuar në studion e RTV Ora me gazetaren Beti Njuma, Kadilli sqaroi pse do marrë pjesë në 11 dhjetor.
Kadilli: Nuk jam mbështetës i Berishës apo Bashës, pro respektoj mbështetësit e tyre sepse janë demokratë. Për mua demokratët nuk ndahen në të Berishës apo të Bashës, por kanë të gjithë një mision; të jenë mburojë përballë qeverisë. Sot në udhëkryq PD, e ndarë nga protagonizmi i të dyve po shkon në një situatë gjithnjë më të rënduar. Unë besoj se çdo mundësi duhet shfrytëzuar për t'i dhënë demokratëve atë që presin, një lidership të ri. Në 26 prill unë thashë se duhet të zgjidhnim një lidership të ri. Shumë njerëz nuk e mbështetën dhe nuk e pranuan dhe pse ishin koshientë që kjo duhej. Në datën 10 shtator, iu bashkuan zotit Berisha dhe të tjerët, një pjesë për parime, një pjesë për ndjeshmërinë që kanë ndaj Berishës. Nuk ka rëndësi se për çfarë vijmë, sot po kërkojmë një zgjidhje. PD duhet të ketë një lidership të ri.
Kadilli u shpreh se më 11 dhjetor do shkojë në Kuvend t'i përsërisë demokratëve se duhet një lidership i ri, nuk është as Basha, por natyrisht nuk është Berisha.
Por zoti Berisha e ka deklaruar haptazi që po kërkon rikthimin në krye të PD-së. Zoti Kadilli u shpreh se kjo nuk është zgjidhje.
Kadilli: Me modesti do t'i paraqes demokratëve nevojën për një lidership të ri. Ne nuk mund të vazhdojmë t'i servirim të njëjtën gjellë shqiptarëve vetëm duke e ngrohur pak. Ne duhet t'i servirim një propozim të ri, dhe ky propozim i ri nuk mund të jetë zoti Berisha me gjithë respektin ndaj ti. Nuk është as zoti Basha, i cili ka konsumuar çdo lloj shansi e kemi mbështetu pa kufij.
Kadilli tha se shqiptarët duan një Parti Demokratike si opozitë që të jetë 100% e kundërta e mazhorancës dhe kjo do të thotë që të jetë e ndershme dhe e pastër.
Kadilli: Kur them e pastër, e panjollosur. Basha dhe Berisha nuk ja ofrojnë dot. Çdo lidership, edhe më i shkëlqyeri ka konsumin e vet në kohë. Ka një kohë në të cilën shërben dhe ka një kohë në të cilën duhet të shërbesh. Këta dy lider e kanë marrë shërbimin maksimal nga demokratët. Nuk janë ata që na kanë bërë ne, është vota jonë që i kemi bërë lidera me votat tona.
Sipas zotit Kadilli ata kanë bërë detyrën e tyre për të shërbyer, herë me sukses e herë me dështime. Ata duhet të jenë shembulli se si qeveriset, për të qenë modeli i një qeverisjeje të re, 100% e ndryshme nga e Ramës.
Intervistoi Beti Njuma, përgatiti Xhuljana Zhuleku
