Fitoi çmimin e parë në Zvicër, maturanti shqiptar Vedat Alimi: Do kthehem dhe investoj në vendlindje

Vedat Alimi është maturanti shqiptar që fitoi çmimin e parë në Zvicër për punimin më të mirë në mbyllje të maturës

Tema e tij ishte "Etika Mjedisore Islame - Edukimi Fetar në Zvicër". I ftuar këtë pasdite në emisionin “Jeto me Orën” në RTV Ora tregoi rreth eksperiencës së rrëmbimit të “trofeut”

20 vjeçari nga Tetova  u shpreh se në përfundim të studimeve kishte menduar të kontribuonte në vendlindje. Pra ai e shihte të ardhmen në Maqedoninë e Veriut.

Përsa i përket çmimit të marrë dhe punimit të dorëzuar, i riu tha se kishte punuar shumë për të arritur aty ku ishte.

“Në Zvicër secili maturant në përfundim të studimeve duhet të paraqesë një punim përfundimtar, temën dhe udhëheqësin e punimit e zgjedh vetë nxënësi.

Tema ime ka qenë “Etika mjedisore në islam”. Unë kam tentuar që t’a punoj sa më mirë, së bashku me ndihmën e profesorit tim, udhëheqësin e punimit. Këtu tek ne që të marrësh një çmim për punimin më të mirë në universitete, duhet që të kesh një notë të lartë si kriter bazë, që të pranohet punimi për të konkurruar. Frymëzimi im për këtë temë ka ardhur, pasi unë vij nga një familje me besim islam, ndërsa babin e kam hoxhë këtu në Zvicër. 

Mbaj mend kur kam qenë i vogël gjithmonë kam dëgjuar mamin që më ka thënë mos bëjë këtë se nuk duhet. Kjo shërbeu si një shtysë për të lexuar dhe studiuar vetë se pse nuk bën.

Është një temë që u intereson shumë edhe njerëzve që ndodhen këtu, edhe nëse nuk duan të mësojnë rreth fesë, të paktën të dijnë rreth etikës së saj. Unë dhe profesori im jemi habitur shumë në përfundim të temës, sesa mësueset punojn për këtë temë në shkolla, me çfarë metodash e arrijnë këtë, hoxhallarët sa flasin për këtë temë, etj. Kam menduar të kthehem dhe të investoj në vendlindje, në Maqedonine e Veriut”
, u shpreh Vedat Alimi.