Rama në SHBA, Nesho: Karakteri klientelist i tij ofrohet gjithmonë ndaj fuqive kryesore
Kryeministri Edi Rama ditën e sotme ka udhëtuar drejt SHBA me ftesë të Hillary Clinton, bashkëshortes së ish-presidentit Bill Clinton dhe ish-kandidate për presidente në garën me Donald Trump.
Në lidhje me këtë diplomati Agim Nesho, në një intervistë për RTV Ora, me gazetaren Besmira Pelushjaj, u shpreh se vizita e Ramës në SHBA nuk është çudi pasi karakteri klientelist i tij ofrohet ndaj fuqive kryesore duke realizuar atë që ata kërkojnë në mënyrë që t’ikthehet mirënjohja.
Ai foli edhe për mënyrën se si Rama e përdori pranimin e afganëve në Shqipëri.
Agim Nesho: Kjo nuk përbën çudi për arsye se karakteri klientelist i Kryeministrit shqiptar që gjithmonë ofrohet sidomos ndaj fuqive kryesore për të realizuar pikat e ditës së tyre dhe sigurisht duhet t’i kthehet kjo mirënjohje. Fakti i pranimit të afganëve ka qenë një dakordësi e Ramës që në fillim të herës përpara se të kryhet operacioni.
Pranimi i afganëve është në detyrim, çdo qeveri shqiptare do ta bënte, kjo meritë i takon popullit shqiptar që ka pritur gjithmonë njerëzit në nevojë, por një gjë e tillë është përdorur nga regjime që kërkojnë të justifikojnë politikën dhe realitetin në Shqipëri ndërmjet veprimeve të tilla ndaj fuqive siç është SHBA.
Mendoj se ai vrull ajo propagandë që u vu re, ishte një mënyrë klienteliste e Kryeministrit shqiptar që në këto momente shumë të vështira të funksionimit dhe të shtetit ligjor në Shqipëri, me problematikën që kishin zgjedhjet e 25 prillit, ti kanalizonte me një shërbim të tillë.
Vizita e Ramës në SHBA sipas Neshos do i shërbejë karrierës personale të Kryeministrit.
Agim Nesho: Vizita që ka bërë Rama, janë vizita që ata do të shprehin mirënjohje. Është diçka që i shërben karrierës personale të Ramës, një investim në karrierën e tij. Në të njëjtën mënyrë për afganët do të vepronin të gjithë që do të ishin në pushtet, por Rama e ka personalizuar këtë gjë.

