"Rama i mbylli dyert e Shqipërisë drejt BE-së", Berisha: Roli i peng kryetarit të opozitës ishte i mjerueshëm
Zoti Berisha nga Bilishti nuk i ndali akuzat ndaj kryeministrit Rama. Berisha u shpreh se Rama e ka shndërruar Shqipërinë në delen e zezë të Ballkanit dhe të Evropës dhe vendin ku ligjin e bën krimi dhe droga.
"Vendi pas zgjedhjeve të 25 prillit humbi çdo perspektivë. Edi Rama kaloi në 8 vite nga një rekord i zi në një tjetër rekord të zi," tha ai.
Berisha: Varfëroi dhe mjeroi shqiptarët, i zbriti nga kombi me rrogat mesatare në rajon në kombin në vend të fundit për rrogën në rajon. Shqipëria është vendi me çmimet më të larta në rajon. Shqipëria në 8 vite njohu rritje shumë të dhimbshme çmimesh. Kafshata e gojës në Shqipëri kushton rreth 83 herë më shumë se vendet e BE-së. Tregu është dominuar nga kartelet e lidhura me qeverinë. Kjo është një axhendë antikombëtare e cila kërkon të largojë shqiptarët nga Shqipëria.
Zoti Berisha tha se qeveria i mbylli dyert e BE-së për Shqipërinë në këto 8 vite. Ai nuk la pa akuzuar as opozitën dhe tha se roli i saj në këtë proces me peng kryetarin ishte i mjerueshëm.
Berisha: Opozita dhe PD-ja nga vitit 2013 deri sot kanë dështuar në çdo nismë që kanë marrë, përveç ligjit të dekriminalizimit. Kanë dështuar me çdo protestë që kanë nisur, me çdo pretim që kanë bërë, por mbi të gjitha kanë dështuar të garantojnë rrotacionin e pushtetit me votë. Nisi çadrën për të mbrojtur votën, përfundoi në qeveri për të dorëzuar votën. Ndodhën zgjedhje të tjera, si përfundim ne sot vijmë kokë-ulur para shqiptarëve sepse kemi dorëzuar 4 zgjedhje dhe një njeri i papërgjegjshëm, pa integritet, me zero civilitet nuk kupton se duhet të kishte dhënë 4 herë dorëheqjen. Edhe sot nuk jep dorëheqjen.
